Flamurtari-Laçi, një përballje për Europën. Në konferencën për shtyp trajneri i Flamurtarit Ilir Daja, së bashku me mesfushorin brazilian Elton Kale e kanë cilësuar përballjen e të dielës, një ndeshje të rëndësishme, përballë një kundërshtari, që ka cilësi dhe këtë fakt e tregon mjaft mire sezoni aktual, por edhe pjesëmarrja e kësaj skuadre në Kupat e Europës.
“Laçi është një skuadër që ka luajtur në Europë dhe synonin sërish këtë objektiv, dhe mund të cilësohet një përballje direket për Kupat e Europës. Ne vijmë pas dy ndeshjesh ku kemi marrë fitore me Partizanin dhe humbje me Kastriotin, pra skuadra ka patur momente të mira dhe jo të mira, e megjithatë kërkojmë fitoren të dielën. Mbështetja e tifozëve ka qenë maksimale gjatë gjithë javëve të kampionatit,dhe kështu shpresojmë edhe të dielën, ndaj një tifozërie të cilës i jemi borxhli”, deklaroi tekniku i vlonjatëve.
Trajneri Daja ka theksuar se nuk i takon atij të flasë për problemet financiare, e gjatë gjithë karrierës së tij nuk ka folur dhe nuk do të flasë për këtë çështje.
Braziliani Elton Kale e sheh një ndeshje ku synimi mbeten tre piket dhe nuk ka rëndësi fakti nëse shënon ai apo jo, por rëndësi kanë vetëm tre pikët.
“Duhet të rikthehemi të fitojmë, ndonëse Laçi është një kundërshtar që mund të na komplikojë shumë punën, pasi ka një organikë të mirë. Duam fitoren nesër, pavarësisht se kush shënon, ndonëse do të më pëlqente të dërgoja topin në rrjetë”, deklaroi sulmuesi brazilian.
Flamurtari-Laçi luhet ditën e diel në orën 17:00, ndërsa vlonjatët do të kenë disa mungesa si Batha dhe Useini me kartona, por në dyshim janë edhe Torasa, Alvesh, teksa mungon Deliaj, po për shkak dëmtimi.