Sipas të përditshmes angleze The Guardian drejtuesit e Realit të Madridit janë duke menduar për shkarkimin e teknikut të përkohshëm Santiago Solari pas humbjes historike 3-0 në shtëpi ndaj CSKA-së së Moskës mbrëmjen e së mërkurës në Champions League.
Në këtë panoramë të re është pikërisht emri i Mauricio Pochettinos që lakohet si trajneri i ri për stolin e Real Madridit, pas shkarkimit të Julen Lopeteguit. Pochettino ka treguar se ka arritur ta kthejë ekipin e Totenham në një prej pretendentëve për titullin në Premier League gjatë qëndrimit të tij në stolin e Spurs-ave. Gjithsesi, nga ana tjetër në lojë për shërbimet e tij janë edhe Djajtë e Kuq të Manchester United, të cilët projektojnë tek ai njeriun ideal për të sjellë ndryshimin e domosdoshëm në ecurinë e klubit anglez.
Në këtë kontekst amplifikohet gara për shërbimet e tij. Në rast të mos kualifkimit në Champsions edicionin e ardhshëm të Manchester United, shkarkimi i Jose Mourinhos është i paevitueshëm dhe tashmë drejtuesit e United janë të gatshëm të paguajnë 40 milionë paund për të ulur në stolin e tyre argjentinasin e klubit rival. Mauricio Pochettino ishte zgjedhja e parë për të zëvendësuar Louis Van Gaal në vitin 2016-të. Këtë herë 46-vjeçari mund të joshet për të marrë drejtimin e një prej klubeve më të mëdha në botë çka do të sillte një klimë të re në organikën e Djajve të Kuq me lojtarë si Paul Pogba dhe Romelu Lukaku që do ta mirëprisnin një ndryshim të tillë.