Protagonist i Karikaturës së Ditës të Goal.com për ditën e hënë është mesfushori me orgjinë shqiptare i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, për paraqitjen që bëri në derbin e djeshëm kundër Manchester Unitedit.
Dje në orën 17:00 në Anfield u zhvillua derbi mes Liverpoolit dhe Manchester Unitedit, të cilën e fituan vendasit me rezultat 3-1, duke e marrë përsëri kreun e tabelës së Premierligës, shkruan Gazeta Express.
Përkundër që nuk u inkuadrua në lojë deri në minutën e 70-të, kur hyri në vend të Naby Keitës, Shaqiri ishte padyshim protagonisti i kësaj ndeshje, pasi që dy golat e tij arritën t’ia sigurojnë fitoren skuadrës së Jurgen Kloppit.
Fillimisht, Liverpooli kishte kaluar në epërsi në minutën e 24-të përmes golit të Sadio Manes, mirëpo rezultati u barazua në minutën e 33-të, kur për Manchester Unitedin shënoi Jesse Lingard. Për ta kthyer epërsinë, Kloppi vendosi ta inkuadrojë në ndeshje Shaqirin.
Kjo taktikë e trajnerit gjerman rezultoi të jetë e suksesshme, pasi që Shaqiri arriti ta mposhte mbrojtjen e Manchester Unitedit vetëm tre minuta më vonë, ku edhe përmes një devijimi, ai e mposhti portierin David de Gean.
Disa minuta më vonë, në minutën e 80-të, Shaqiri e shënoi edhe golin e tij të dytë, apo të pestin këtë sezon në Premierligë, duke ia siguruar kështu skuadrës së tij pozitën e parë në tabelën e ligës angleze.
Mesfushori zviceran me origjinë shqiptare u transferua gjatë afatit kalimtar të verës nga Stoke City në Liverpool për 13,5 milionë euro. Këtë transferim, analisti i Sky Sports, Paul Merson, e ka vlerësuar si transferimin më të mirë të vitit për shkak të shumës së ulët të shpenzuar, shkruan Gazeta Express.
Shqiptari ka filluar ta dëshmojë talentin e tij në Anfield gjatë kohës së fundit, kur ka filluar të luajë më shumë për skuadrën e Jurgen Kloppit. Në Premierligë, ai i ka shënuar pesë gola dhe i ka bërë dy asiste të tjera. /Gazeta Express/