Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer këmbëngul se djelmoshat e tij besojnë se mund ta mposhtin Paris Saint-Germainin të mërkurën në Ligën e Kampionëve, duke theksuar se brenda klubin ekziston një ndjesi e të qenit të pamposhtur.
“Djajtë e kuq” i kanë fituar 13 prej 16 ndeshjeve të tyre të fundit nën udhëheqjen e Solskjaerit, ndërsa humbjen e vetme e kanë pësuar pikërisht nga PSG-ja.
Edhe pse ndeshja u zhvillua në “Old Trafford”, Unitedi e humbi 0:2 lojën e parë në takimin e 1/8 së finales kundër gjigantit francez.
Solskjaer do të jetë pa shërbimet e Paul Pogbas për ndeshjen e kthimit për shkak të pezullimin pasi ishte ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e parë, por norvegjezi beson se skuadra e tij do të dalë fituese edhe në mungesë të francezit të mërkurën.
“Më duhet të them se ne ndihemi të pamposhtur. Ne ndihemi se në çdo ndeshje kemi shanse të fitojmë”, tha Solskjaer.
“Tani kemi besim. Ata [futbollistët] kanë vetëbesim para kësaj loje, edhe pse e dimë se rezultati [i ndeshjes së parë] 2:0 është kundër nesh”, shtoi ai.
“Natyrisht, lojtarët tanë e dinë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë dhe kemi folur për këtë”, theksoi ai.