8 duele “të zjarrta”, për Interin, Napolin, Arsenalin e Chelsea nuk falen gabimet

E Enjte, 07 Mars 2019 10:57

16 skuadra nga 11 shtete do të vazhdojnë aventurën e tyre në edicionin e 48-të të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Kontinentin e Vjetër dhe sezonin e 10-të, që kur ky aktivitet ka ndryshuar strukturë dhe i luan ndeshjet sipas formatit aktual, Europa League.

Finalja e 29 majit në “Stadiumin Olimpik” të Bakusë tani është vetëm 6 takime larg, sidoqoftë favoritët e mëdhenj vazhdojnë të konsiderohen në radhë ekipe si Chelsea, Napoli, Arsenali dhe Sevilla. Klubi i famshëm andaluzian që është njëherësh edhe klubi më i suksesshëm i këtij kompeticioni me 5 trofe, i paraprin një grupi prej plot shtatë ekipesh që numërojnë 13 kupa gjithsej dhe ia kanë dalë mbanë për ta fituar më parë Kupën UEFA apo dhe Europa League-n, grup ku spikat Interi me 3 tituj, si dhe pesë klube si Chelsea, Valencia, Napoli, Eintrachti dhe Zeniti, që kanë arritur ta shënojnë emrin në listën e skuadrave fituese të këtij aktiviteti, ndërkaq nuk duhet harruar fakti që Benfica 3 herë dhe ekipet si Arsenali e Salzburgu nga një herë janë ndalur pikërisht në pengesën e fundit, pra në finale.

8 takimet e para do të zhvillohen në të njëjtën ditë, ndërsa ndeshjet e kthimit do të luhen menjëherë pas një jave. Në orën 18:55 spikat dueli Eintracht-Inter, me dy klubet që përballen për herë të parë ndërmjet tyre në Kupat e Evropës. Zikaltrit që në kampionat humbën vendin e tretë, kundrejt Milanit, do të paraqiten në Ëaldstadion të Frankfurtit pa talismanin e tyre Mauro Icardi. Ekipi i Spaletit përsëri konsiderohet si favorit nga bookmakers-at për të kaluar në fazën çerekfinale, por gjithsesi klubi gjerman nuk njeh humbje në vitin 2019 në të gjithë kompeticionet dhe trajneri austriak Adi Hutter ka në dispozicion dyshen më të fortë të këtij edicioni Luka Jovic – Sebastien Haller, që ka realizuar 11 gola gjithsej.

Për herë të parë në historinë evropiane do të matë forcat edhe dyshja Rennes – Arsenal. “Topçinjtë” kanë fituar besim dhe trajneri Unai Emery ka përmirësuar mbrojtjen e ekipit, sidoqoftë dueli i parë do të mbahet në Bretanjë në “Roazhon Park” dhe sic dihet kuqezinjtë eliminuan në raundin e mëparshëm me rezultatin 6-4 një kundërshtar si Real Betisi, ndërkaq skuadra londineze duhet të mendojë në mënyrë të pashmangshme gjithashtu edhe për sfidën tepër të rëndësishme, që do të ketë ditën e dielë në Premier League, në “Emirates” ndaj një rivali direkt si Manchester United.

Në Zagreb do të luhet akti i parë i takimit Dinamo – Benfica, e vlen të theksohet se “shqiponjat”, që tani kryesojnë kampionatin luzitan pas triumfit 2-1 brenda në “Dragao”, nuk kanë pësuar as gol në tre përballjet e mëparshme me klubin e famshëm kroat.

Po në orën 18:55 do të zhvillohet edhe ndeshja Zenit – Villarreal, gjithsesi vlen të kujtohet fakti që sezonin më të lavdishëm për klubin nga Shën Petërsburgu në Evropë, 11 vjet më parë “luanët” fundosën “nëndetësen e verdhë” në marshimin e tyre drejt titullit në fazën e 1/16 vetëm falë golit në fushë kundërshtare të realizuar nga Pogrebnyak, ndërsa fokusi i ekipit spanjoll mbetet në Primera Division, ku skuadra këtë herë rrezikon ndjeshëm për të rënë një kategori më poshtë.

Në orën 21:00 Chelsea ekipi favorit për të ngritur trofeun në Azerbajxhan do të presë në Stamford Bridge Dinamon e Kievit, kundërshtar ndaj të cilit nuk njeh humbje në Arenën Evropiane, ndërkaq në Mestalla Valencia do të masë forcat për herë të parë në Kontinentin e Vjetër me Krasnodarin. Miqtë në turin e mëparshëm eliminuan Bajerin e Leverkusenit dhe për momentin pozicionohen në vendin e dytë në kampionatin rus, me vetëm tre pikë më pak se sa Zeniti, ndërsa skuadra e Marselinjos që në takimin e parë nuk do të ketë dyshen Kondogbia – Roncaglia është rritur shumë, teksa numëron vetëm 1 humbje në 15 ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet.

Një ndër përballjet më spektakolare të fazës së 1/8 pritet të jetë ndeshja e San Paolos Napoli – Salzburg. Marco Rose pasi eliminoi Lazion sezonin e kaluar u ndal në gjysmëfinale, gjithsesi trajneri gjerman ka përsëri një skuadër të konsoliduar, ku spikat pikërisht golashënuesi më i mirë i Europa League-s, sulmuesi izraelit Moanes Dabour me 7 gola, ndërkaq në krahun tjetër, pas disfatës me Juventusin në Serinë A të kaltërve nuk iu mbetet asgjë tjetër, kështu që klubi nga Campania shndërrohet natyrshëm në një prej skuadrave favorite për të shkuar deri në fund të këtij kompeticioni, gjë krejtësisht e kuptueshme, duke patur parasysh që në timon qëndron një njeri plot eksperiencë si Carlo Ancelotti.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...