Sa herë që ai vjen në Shqipëri, nis diskutimi në lidhje me Kombëtaren. Ka ardhur për t’i bërë presion trajnerit?! Ka ardhur që të interferojë në skuadër? Apo ka ardhur që të punojë pas shpinës së ndokujt, teksa takon presidentin Duka? Këto pyetje ngrihen sa herë shfaqet në Tiranë Xhani De Biazi.
Ish-trajneri i Kombëtares, i cili shkroi historinë me kuqezinjtë, është shfaqur sërish në kryeqytetin shqiptar, por këtë herë asnjë prej këtyre pyetjeve që ngrenë shpesh për të, nuk qëndron.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, De Biazi tregon se ka rikujtuar çdo vit të qëndrimit të tij në krye të kuqezinjve në një takim të stërzgjatur me Dukën, porse jo për postin e trajnerit.
“Mund të bëj rolin e drejtorit sportiv”, shprehet ndër të tjera shqiptari De Biazi, teksa ka një përgjigje për thuajse gjithçka: Çështja “Durmishaj”, cirkun e thënë nga Panuçi dhe mbi të gjitha, atë që trumbetojnë të gjithë shqiptarët: Shanset për Europianin.
Nëse vjen De Biazi në Shqipëri, çfarë duhet të themi? Çfarë po ndodh?
Nuk po ndodh asgjë. Është një mundësi për t’u rikthyer, për të takuar miq dhe për të parë interesat e mia që i kam ende këtu në Shqipëri. Gjithashtu, për të prezantuar edhe akademinë time të re.
Cili është plani që keni për akademinë?
Plani parësor është për të kërkuar që të rritet gradualisht. Do të kërkoj që të jap eksperiencën time si trajner për djemtë e rinj që duan të kuptojnë si të bëjnë për të shkuar larg.
A do të jetë edhe në Shqipëri kjo akademi?
Po! Besoj që në sezonin e ardhshëm do ta hap edhe në Shqipëri. Në vijim do ta shoh sesi dhe kur… Them po, sepse besoj se djemtë shqiptarë që jetojnë këtu, në Itali apo edhe diku tjetër jashtë vendit, kanë nevojë për mjeshtra të vërtetë.
A është ky drejtimi i radhës në karrierën tuaj që nënkupton edhe se nuk do të riktheheni më në një pankinë për të drejtuar?
Jo, absolutisht që jo sepse kjo është diçka që mund ta bëj me qetësi në muajt kur nuk punoj, kryesisht gjatë verës. Prandaj, për këtë motiv këtë gjë do ta bëj vetëm për dy javë punë, në dy vendndodhje të rëndësishme, por të ndryshme.
Keni takuar Dukën dhe kam informacione se keni qëndruar gjatë bashkë duke drekuar. Mbase 5 orë për 5 vite e gjysmë si trajner këtu…
Kemi ngrënë mirë (qesh…). Po, në fakt kemi kaluar një orë për çdo vit të kohës që kam qenë trajner këtu dhe është kënaqësi të takoj presidentin. Ndihem mirë me të.
Tema e bisedës ka qenë për…
Po ju ndërpres unë para se ta përfundoni. Kemi folur për shumë gjëra. Jo domosdoshmërisht vetëm për futboll. Sigurisht që edhe për këtë gjë kemi biseduar, por ndarazi nga gjithçka tjetër: Nga politika, nga interesat ekonomikë, nga perspektivat e ardhshme të federatës. Apo edhe të projekteve të bukura që kam ndjekur, pasi vizitova edhe punimet në kompleksin ku po ndërtohen zyrat e reja dhe ambientet për Kombëtaren. Me sa pashë punimet, them se federata vazhdon të jetë në rritje.
E takuat Dukën për stolin e Kombëtares?
Jo! Absolutisht, jo. Kemi folur edhe për situatën në Kombëtare në periudhën e fundit dhe për problemet në lidhje me zëvendësimin e Panuçit. Kemi folur për shumë gjëra, por më së shumti si mes 2 miqsh që takohen pas një kohe të gjatë që nuk janë parë.
Çfarë ju tha Duka për shkarkimin e Panuçit?
Sigurisht që i vjen keq. Mirëpo, për sa kohë trajneri nuk do të ndryshonte kurrë, për asnjë motiv në botë, atëherë vjen një situatë në të cilën me shumë gjasa nuk mund të vazhdosh më. Ndaj, nuk di ç’të them. Gjithsesi, nuk dua as që të futem në të tillë diskutime, të cilat janë biseda që u takojnë atyre.
Duka ka thënë se “De Biazi nuk do rikthehet si trajner i Kombëtares”. Nuk jua ofron ai apo nuk do ta pranonit ju?
Jo, jo. Shikoni, unë besoj se ai e di që është shumë shpejt që nga koha kur unë kam ikur nga Shqipëria. Kanë kaluar thuajse një vit e gjysmë që kur kam ikur dhe nuk mendoj se është momenti për të menduar që të rikthehem. Më pas, në rolin e trajnerit, më pak akoma. Unë mund të merrja në konsideratë që të bëja mbase postin e drejtorit teknik të Kombëtares për të kërkuar që të zhvilloj lëvizjen futbollistike nga Kombëtarja e deri te të rinjtë.
Nëse ju thonë: “Shqipëria është si cirk sepse dikush që kërkon të vendosë rregull dhe disiplinë, e pëson shtrenjtë”, si do t’i përgjigjeshit?
Besoj se Kombëtarja shqiptare, në aspektin futbollistik, meqenëse po flasim për këtë, nuk ka nevojë për rregulla të mëdha. Ato që ishin në periudhën time të drejtimit mjaftonin për të çuar përpara një diskutim disipline nga pikëpamja e sjelljes, por ajo që ka rëndësi më shumë sipas meje janë motivimet dhe dëshira për të qenë pjesë e një projekti që duhet të na çojë lart, lart. Në këtë aspekt duhen ide shumë të qarta dhe zgjedhje të goditura në njerëz, përveçse futbollistë.
Po flisni në shumë raste “ne”. Tamam si drejtor sportiv…
Jo. Por sepse unë ndihem pjesë e kësaj federate, e këtij vendi. Janë akoma shumë lojtarë që janë djemtë e mi. Dhe në këtë aspekt, kam mbetur ende këtu me zemër.
Emri juaj është lakuar si alternativë për Indinë. Ka diçka?
Ka folur vetëm menaxheri, por së bashku me mua janë edhe dy tre kandidatë të tjerë. Po vlerësojnë kontratën.