Partizani fitoi derbin e javës së 33-të në Superiore, me shifrat 2-1 përballë Tiranës, dhe 3 javë para fundit, është shpallur edhe matematikisht kampion në kampionat.
Heroi i ndeshjes ishte shkodrani Çinari, që me dopietën e tij vendosi takimin. Ndeshja nisi e ekuilibruar me të dy ekipet që nuk po rrezikonin shumë, por në të 30-tën skena ishte për Çinarin, që me një goditje fantastike nga rreth 30 metra, zhbllokoi rezultatin.
Partizani mori zemër, por gjithsesi në të 41-tën ishte Greca që vuri sfidën në baraspeshë, pas një pasimi të bukur të Ngosë. E para u mbyll në barazim.
E dyta u nis gjithashtu pa shumë raste, me ekipet që nuk donin kurrsesi të humbnin këtë takim. Për fitoren dhe për t’i dhënë titullin Partizanit, mendoi sërish Çinari, që u harrua në minutën e 73-të nga mbrojtja e Tiranës, dhe pas një asisti fantastik të Trashit, ishte shkodrani që mposhti Abibin.
Deri në fund, Partizani e mbajti këtë fitore, dhe tani është zyrtarisht kampion i Shqipërisë, me 68 pikë, +13 më shumë se Kukësi, 3 javë nga fundi. Dridhet Tirana, që me fitoret e Luftëtarit dhe Kastriotit, e sheh veten në vendin e 8-të me 40 pikë, vetëm 2 më shumë se krutanët.
FT | Partizani-Tirana 2-1
GOL: Çinari 30′, 73′ / Greca 41′