Salah ka kërkuar nga fansat që ta mbështesin Liverpoolin në Madrid, në finalen e Champions League. Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, i cili ia doli të fitojë edhe këtë sezon “Këpucën e Artë”, edhe pse këtë herë e ndau këtë trofe me Sadio Mane e Pierre-Emerick Aubameyang – të tre me nga 22 gola, tashmë e ka mendjen te Champions League.
Ai është i mërzitur për faktin se Liverpooli arriti 97 pikë, por prapë se prapë nuk e fitoi titullin, trofe që po u mungon që 29 vite. Sido që të jetë, sezoni madhështorë i Liverpoolit mund të kurorëzohet me një trofe fantastike, atë të Ligës së Kampionëve. “Redsat” do të kenë punë në finale me Tottenhamin dhe për ta bërë edhe më shumë të mundur fitimin e këtij trofeu, Salah ka kërkuar që Madridi të pushtohet nga fansat e Liverpoolit.
“Duket pak e hidhët tani, por sezoni nuk ka përfunduar ende. Dua të falënderoj të gjithë shokët e skuadrës, trajnerët dhe tifozët. Dhe tifozë, ju lutem silleni ‘Anfield’-in në Madrid”, shkroi sulmuesi egjiptian në “Twitter”, duke kërkuar mbështetjen e pakushtëzuar të tifozëve të tyre në finalen e madhe të 1 qershorit në “Wanda Metropolitana” në Madrid. Salah nuk luajti në gjysmëfinale, në përmbysjen historike ndaj Barcelonës – por është gati për finalen e madhe.
Ai deri më tani në sezonin 2018/19, ka shënuar 26 gola në 51 paraqitje.