Kombëtarja Shqiptare ka zhvilluar stërvitjen e parë nën urdhrat e teknikut të ri, Edy Reja.
Një grumbullim i pazakontë, për të nisur sa më shpejt nga puna me Shqipërinë. Surpriza dhe emra të rinj. Mbi të gjitha një metodë pune gjithëpërfshirëse, për të krijuar një panoramë sa më të qartë rreth futbollit tonë, lojtarëve dhe Kombëtares.
Edy Reja e nisi punën në stolin kuqezi, me një grumbullim paraprak. Një listë me vetëm 10 futbollistë, ku mes emrave të afirmuar në Kombëtare dhe që kanë përfunduar aktivitetin me skuadrat e tyre, nuk mungojnë edhe risitë. Nga grumbullimi i Kastriot Dermakut, zbulimit të Serisë B me Cosenza-n, por i anashkaluar nga Panucci, për të vijuar me thirrjen e parë në skuadër të Bruno Telushit, një prej protagonistëve të mëdhenj të Partizanit kampion.
Një javë stërvitje për të ruajtur gjendjen fizike, e cila do të shërbejë edhe për t’i vëzhguar lojtarët, përpara se më datë 27 maj, trajneri Reja të publikojë listën zyrtare për ndeshjen e 8 qershorit në Islandë dhe përballjen e 11 qershorit me Moldavinë në Elbasan Arena.
Grumbullimi i Kombëtares do të jetë i ndarë mes Durrësit, Frankfurtit dhe Rekijavikut, me trajnerin që do të punojë me grupin e plotë vetëm prej datës 2 qershor në Gjermani.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, nën urdhrat e trajnerit Reja do të jenë edhe 12 futbollistë të përfaqësueses Shpresa, të cilët kanë përfunduar sezonin dhe janë grumbulluar nga trajneri Alban Bushi për ndeshjen zyrtare me Turqinë dhe dy miqësoret me Uellsin. Edy Reja do ta shfrytëzojë këtë moment, jo vetëm për të njohur sa më mirë futbollistët që janë pjesë e listës së madhe të Shqipërisë, por edhe talentët potencialë, që në muajt në vijim mund të grumbullohen në skuadër.