Tomas Strakosha do të jetë mungesa e madhe e Shqipërisë për dy ndeshjet e radhës, ndaj Islandës dhe Moldavisë.
Ndryshe nga starti i këtyre eliminatoreve, kur në ndeshjet me Turqinë dhe Andorrën mungesa e yllit të Lacios lidhej me një dënim disiplinor nga ish-trajneri Panuçi, këtë herë shkak është dëmtimi.
Prej javësh Strakosha ka probleme shëndetësore, madje në finalen e Kupës së Italisë sakrifikoi për të qenë në fushë, duke e fituar më pas trofeun. Tashmë te Lacio i kanë lënë kohë portierit të rikuperohet, me Strakoshën që nuk do të jetë në shërbim të Kombëtares dhe Selmanin që do të thirret në vendin e tij.
Mungesa të tjera në skuadër do të jenë edhe ato të dy yjeve të rinj: Keidi Bare dhe Rey Manaj. Të dy lojtarët kanë vlerësim maksimal nga trajneri, me Rejan që dëshironte t’i kishte në kontingjent për ndeshjet e radhës. Në këtë rast, problemi lidhej me klubet, sepse kampionati në Segunda Divisionin spanjoll përfundon vetëm në datën 9 qershor. Malaga e Bares dhe Albacete e Manajt janë në zonën play-off dhe garojnë për tu kthyer në elitën e futbollit spanjoll dhe largimi i dy futbollistëve në këtë moment nga klubet përkatëse është i pamundur.
Ata mund t’i bashkoheshin Kombëtares në Rejkjavik, vetëm pak orë përpara ndeshjes, por trajneri Reja vendosi të mos i sforcojë më tepër, për t’i patur në dispozicion në vazhdim.