Intensitet i lartë dhe dëshirë për të bërë maksimumin, kjo ka qenë kryefjala e përgatitjeve të kombëtares shqiptare në hapat e para të epokës Edy Reja.
Futbollistët e thonë në sinkron të plotë se kuqezinjtë janë përfshirë nga një atmosferë pozitive që ndoshta mungonte më parë. Këtë e konfirmon për Supersport gjiganti i mbrojtjes Kastrioti Dermaku, i cili nuk ka asnjë kritikë për mënyrën se Shqipëria po i afrohet duelit ndaj Islandës.
“Ambienti është shumë i mirë dhe jemi duke punuar me intensitet, për të përgatitur sa më mirë ndeshjen me Islandën. Personalisht jam duke u ambientuar shumë mirë si me grupin, ashtu edhe me stafin teknik”, tha Dermaku.
27-vjeçari projektohet si titullar, megjithatë edhe nëse nuk ndodh, ai është gati t’i shërbejë me maksimumin e mundshëm skuadrës, për aq minuta sa mund t’i ofrohen.
“Me rëndësi është të japim maksimumin në stërvitje dhe të jemi gati për të dhënë më të mirën, nëse na vjen shansi të zbresim në fushë”, tha mbrojtësi.
Formula me 3 mbrojtës duket se është zgjedhja e Edy Rejës, pozitive apo negative këtë do ta tregoj fusha, por për qendërmbrojtësin, modulet nuk janë vendimtarë, sepse diferencën e bën motivimi dhe jo skemat taktike.
“Kam, luajtur edhe me 3, edhe me 4 në mbrojtje dhe jam ndjerë mirë në të dy skemat. Rëndësi ka që të gjithë ekipi të japë maksimumin në të gjitha fazat e lojës. Nuk është skema ajo që bën diferencën, por besoj se kemi mundësi të bëjmë shumë mirë”, tha futbollisti shqiptar.
Sezonin e mbylli si një titullar i padiskutueshëm tek Cozenza, por e ardhmja e Kastriot Dermakut nuk do të jetë më në Serinë B italiane.
“Nuk besoj se do rri më te Cozenca. Më mbaron kontrata tani në qershor dhe jam në bisedime me disa klube të Serisë A, por edhe skuadra turke. Megjithatë besoj që do të mbetem në Itali”, deklaroi Dermaku për Supersport.