Pak vite më parë, Skënderbeu akuzohej për trukim ndeshjesh në Kupat e Europës dhe jo vetëm, e kjo bëri që UEFA të jepte një dënim ekstrem për korçarët, duke i përjashtuar nga çdo kompeticion i UEFA-s për 10 vjet.
Natyrisht, korçarët nuk mund të pajtoheshin me një vendim të tillë, duke qenë se në vitet e fundit, Skënderbeu ka bërë ligjin në futbollin shqiptar dhe një dënim i tillë, ishte një goditje e rëndë jo vetëm për ta, por edhe për futbollin në vend.
Drejtuesit e klubit, e apeluan këtë vendim në KAS dhe sot, pritet që Gjykata e Arbitrazhit Sportiv të japë zyrtarisht vendimin. Në Korçë, besimi është i madh se do të jepet një vendim pozitiv dhe do të lejojë Skënderbeun të rikthehet në elitën e futbollit shqiptar, pasi ky sezon ka qenë mjaft zhgënjyes për ta.
Vetë klubi korçar, pak ditë më parë njoftoi se vendimi i KAS-it do të jepet ditën e sotme, ndërkohë që ishte planifikuar si fillim një tjetër datë dhe pritej të jepej në qershor, megjithatë, gjithçka pritet të marrë një formë të prerë sot.