Real Madrid përjeton makthe në tokën Amerikane. Atletico e çmonton në derbi duke i shkaktuar humbjen më të thellë në historinë e kësaj përballje. Ekipi i Simeones ishte një “uragan” i vërtetë duke i shënuar 7 gola, një humbje shumë e rëndë pavarësisht se ishte thjeshtë një test miqësorë, një humbje që duhet ti shërbejë shumë trajnerit Zidane në prag të sezonit të ri.
Fenomeni i këtij takimi ishte D.Costa autor i një “pokeri” golash. Një minutë i mjaftoi D.Costas të shënonte golin e parë, në këtë banket nuk mungoi as blerja më e shtrenjtë në histori, Joao Felix. Brenda pjesës së parë D.Costa shënoi dhe dy hera të tjera ndërsa Correa kompletoi “manitën”. Zidane e nisi pjesën e dytë me zëvendësime por sërish ishte D.Costa ai që dërgoi rezultatin në 6-0. Si gjithnjë sulmuesi spanjoll ishte i miri dhe i keqi i këtij takimi teksa u ndëshkua me karton të kuq pas një sherri me Carvajal. Reali minimizoi këtë humbje me golat e Nacho, Benzema dhe Sanchez. Jo vetëm humbje e rëndë por në këtë sfidë, Zidane humbi dhe shërbimet e Jovic i cili doli nga fusha i dëmtuar.
(BalkanWeb)