Shkëndija e Tetovës ka udhëtuar drejt Luksemburgut, ku pasditen e sotme, në orën 18:00 do të luajë ndeshjen e kthimit të turit të dytë eliminator të Europa Leagues, përballë vendasve të Dudelange.
Kuqezinjtë e Tetovës hodhën një hap fals një javë më parë në “Todor Proeski” të Shkupit, ku u mposhtën me përmbysje, me rezultatin 1-2, por sot do të tentojnë të përmbysin gjithçka dhe të vazhdojnë më tej.
Dudelange është një skuadër lider në Luksemburg, por gjithsesi jo një emër i frikshëm, ndaj edhe shanset e Shkëndijës për t’ia dalë pasditen e sotme, janë reale dhe të mëdha, pavarësisht humbjes në takimin e parë.
Po në të njëjtën orë, në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, Feronikeli do të presë në ndeshjen e kthimit sllovenët e Slovan Bratislavës. Kampionët e Kosovës u mposhtën 2-1 në ndeshjen e parë dhe sot do të mjaftonte qoftë edhe një fitore minimale, për të vazhduar më tej.
Sllovenët janë favoritë për t’u kualifikuar, por aktualisht kanë probleme, pasi është shkarkuar trajneri serb i skuadrës, duke qenë se refuzoi të drejtojë ekipin përballë Feronikelit, ndaj këta të fundit do të mundohen të shfrytëzojnë maksimalisht këtë situatë.