Skënderbeu pritet ta fillojë sezonin e ri në Super Ligë pas akordit që arriti presidenti i klubit, Ardian Takaj me FSHF. Në krye të bardhekuqëve mund të jetë një emër jo pak i njohur për korçarët si Ilir Daja.
Në fund të sezonit të kaluar emri i teknikut tiranas ishte i pari në listën e Skënderbeut por për shkak të problemeve me FIFA-n mungoi zyrtarizimi i marrëveshjes. Në të njëjtën kohë, në kërkim të Dajës ishte dhe Kukësi por nuk u arrit akordi mes dy palëve.
Ilir Daja ka simpati për Skënderbeun ku ka qenë dhe më parë në krye të saj. Fitoi titullin kampion dhe bëri një paraqitje të mirë në Europë falë një grupi lojtarësh mjaft cilësorë. Por tashmë ai nuk do të gjendet përsëri në të njëjtën situatë pasi nga kampi bardhekuqëve janë larguar një pjesë e konsiderueshme lojtarësh. Një gjë e mirë për të është se ai nuk do të kursehet në ndërtimin e ekpit me mbështetje të presidentit Takaj.
Korçarët janë në kërkim të përforcimit të mesfushës dhe sulmit. Sytë janë drejt europës dhe dy janë emrat që bardhekuqtë duan të afrojnë. Nikola Jelisiç nga Bosnja Hercegovina dhe Aleksandar Stankov i cili luan në Danimarkë. Por me vetëm dy lojtarë nuk mund ta konsiderosh ekipin e plotësuar. Për Skënderbeun do të jetë një sezon i gjatë dhe i vështirë.