Më datë 8 gusht Roma u zgjua me lajmin se lideri historik i tifozëve të Lazios, Fabrizio Piscitelli, personazh shumë i diskutuar por edhe i njohur në kryeqytetin italian, kishte ndërruar jetë si pasojë të një ekzekutimi të stilit mafioz.
Piscitelli u vra me silenciator pas koke, teksa po vraponte në një park të Romës, si qindra të tjerë atë ditë.
Ende asgjë nuk dihet për porositësit e vrasjes, por e kaluara e Piscitellit është ndarë midis lidershipit të grupit ultras “Irriducibili” dhe trafikut të lëndëve narkotike, duke arritur të kontrollonte disa lagje të kryeqytetit.
Sipas policisë, ai kishte bërë aleancë edhe me disa grupe shqiptare që operojnë në Romë, dhe se disa shqiptarë punonin për të si bodigard.
Pas disa polemikave nga ana e familjarëve me shtetin , sot u krye varrimi i Piscitellit, që tifozët e ekipit të drejtuar nga Igli Tare e quanin Diabolik.
Qindra persona morën pjesë, ku nuk mungonin flamujt e Lazios, por edhe sloganet fashiste.