Migjen Basha ka njoftuar se ka vendosur të pensionohet nga Kombëtarja e Shqipërisë, në mënyrë që të kalojë më shumë kohë me familjen dhe të krijojë hapësirë për futbollistët e rinj në ekipin kuqezi. Mesfushori i klubit grek Aris Thessaloniki njoftoi të enjten në mëngjes se ka vendosur t’i japë lamtumirën Kombëtares kuqezi pas vetëm 33 paraqitjeve.
32-vjeçari, i cili i shënoi vetëm tri gola për Shqipërinë në karrierën e tij – të gjitha në ndeshje miqësore – dëshiron t’i përkushtohet më shumë familjes.
“Mendoj që ka ardhur momenti i duhur për mua që t’i dedikoj më tepër kohë familjes time. Por, në të njëjtën kohë, t’iu japim mundësinë dhe lojtarëve më të rinj të kenë më tepër hapësira në ekipin kombëtar”, shkroi Basha në Facebook.
Ai i ka falënderuar të gjithë në Kombëtare: “Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë lojtarët e ekipit kombëtar, shokët e miqtë e mi gjatë këtyre viteve. Falënderoj stafin teknik të ekipit kombëtar dhe Federatën Shqiptare te Futbollit për mundësinë.”
Basha debutoi për Shqipërinë e Giani De Biasit në mars të vitit 2013 dhe ishte pjesë e ekipit kombëtar historik që mori pjesë në Kampionatin Evropian 2016 në Francë. Ai e bëri vetëm një paraqitje në këtë turne.
Para se t’i përkushtohej Kombëtares kuqezi, Basha ishte pjesë e ekipeve kombëtare të Zvicrës, përfshirë U19 dhe U21.