Pritej që çdo gjë të ishte lënë pas dhe ylli i skuadrës, Leo Mesi, të udhëtonte me ekipin drejt Pamplonas, ku Barcelona do të luajë sfidën e tretë të vlefshme për La Ligën kundër ekipit vendës të Osasunës. Por, fatkeqësisht për tifozët e Barcelonës argjentinasi nuk ia ka dalë dot të rikuperohet dhe nuk ka udhëtuar fare me ekipin.
Lajmin e ka dhënë vetë trajneri Ernesto Valverde, që shuajti çdo shpresë për ta parë Mesin në kampionat në javën e tretë. “Pleshti” do të qëndrojë në Barcelonë dhe do të vijojë rikuperimin, për të qenë gati pas ndeshjeve të përfaqësueseve, kur katalanasit do të ndeshen më 14 shtator me Valencian dhe ku të gjithë blaugranat urojnë që Mesi të luajë ndeshjen e parë në këtë kampionat.