Në prag të ndeshjes ndaj Francës, ish-kapiteni legjendar i Shqipërisë, Lorik Cana, ka dhënë një intervistë për mediat franceze ku ndër të tjera ka folur edhe për gjendjen aktuale të kuqezinjve, duke ngritur alarmin se burimi i talenteve po mbyllet pasi lojtarët janë duke zgjedhur të përfaqësojnë Kosovën apo Maqedoninë e Veriut.
“Po ashtu si unë, nga ekipi që përfaqësoi Shqipërinë në Europianin e 2016-ës janë larguar disa lojtarë, të cilët ende nuk janë arritur të zëvendësohen. Për shtatë apo tetë vite radhazi, Shqipërinë e kanë përfaqësuar shumë futbollistë me origjinë nga Kosova dhe Maqedonia. Por tashmë, ata janë duke zgjedhur të përfaqësojnë vendin e tyre të lindjes. Kjo shpërndarje talentesh po e dobëson ekipin tonë kombëtar. Burimi po mbyllet”, është shprehur Cana duke ngritur alarmin.
Teksa flet për pikën e fortë të Kombëtares së drejtuar nga italiani Reja, e cila do të na përfaqësojë të shtunën ndaj Francës, ish-kapiteni Cana thekson se është përkushtimi që kanë lojtarët kur veshin bluzën kuqezi.
Megjithatë, Cana shprehet se ndeshja vendimtare për Shqipërinë do të jetë ajo e së martës ndaj Islandës në “Elbasan Arena”, ku do të synohet patjetër fitorja për të mbajtur ende gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm.