Shqipëria është e brishtë për një kampione bote si Franca. "Gjelat" masakruan "shqiponjat" në "Stade de France", teksa i mposhti 4-1 në takimin e pestë eliminator të kualifikueseve të Euro 2020.
Një superskuadër e dirigjuar nga Didier Deschamps e cila dominoi që prej minutës së parë ndaj kuqezinjve të Edi Rejës, që ishin futur në fushë pa busull. Takimi nisi me një skandal të organizatorëve, ku himni i Andorrës u vendos në sfond për tu kënduar nga lojtarët e kombëtares kuqezi. Një situatë që mori zgjidhje pak minuta më vonë, me spikerin e stadiumit që kërkoi ndjesë për ngatërresën.
Por, duket se kjo situatë ndikoi negativisht te kuqezinjtë, që u gjendën në disavantazh të një goli ende pa u kronometruar minuta e tretë. Coman gjeti hapësira në majtë të mbrojtes sonë dhe me të majtën mposhti Strakoshën.
Pësimi i golit tronditi akoma dhe më shumë skuadrën tonë, që pësoi sërish. Tashmë ishte Giroud, i cili u gjend i vetëm përballë gardianit të Lazios dhe me të majtën dërgoi sferën në njërin krah dhe Strakoshën në tjetrin.