Nuk ka më fjalë të përshtatshme për të përshkruar atë që C.Ronaldo dhuron në fushën e lojës. CR7 ka lindur për të thyer rekorde, një futbollist me një ego të paimagjinueshme, një lojtar që nuk vendos kurrë limite, thjeshtë është një fenomen, një lojtar unik i cili është shndërruar në shembull për fëmijë në të gjithë botën.
5 herë fitues i Champions League, 5 herë fitues i “Topit të Artë”, Kampion Europë, e shumë tituj të tjerë personal dhe në rang klubesh, Ronaldo vijon të mrekulloj botën me formën e tij, e fundit ishte “pokeri” kundër Lituanisë që e shndërroi në futbollistin që ka shënuar më shumë gola në kualifikuese. Të gjithë janë të befasuar me formën e tij, fundja është 34-vjeç por kjo paraqitje e CR7 nuk i bën aspak përshtypje Jose Mourinhos. “Special One” e njeh shumë mirë portugezin, një futbollist të cilin e ka drejtuar për 3 vite kur ishte pjesë e Real Madrid. Në 164 ndeshje nën urdhrat e Mourinhos, Ronaldo shënoi 168 gola dhe dhuroi 49 asist:
“Ronaldo nuk më surprizon aspak, as ajo që ai bën nuk me befason. Është 34 vjeç por mbetet një futbollist i madh. Luan për një skuadër me nivel të lartë dhe me ambicie të mëdha. Në terma gjenetik është një rast për tu studiuar, duhet studiuar edhe në aspektin mental”, u shpreh Mourinho në një intervistë për mediat portugeze duke e mbyllur me një batutë: “Pas disa kohësh do të jetë 50 vjeç dhe FIFA do ta ftoj në një ndeshje legjendash. Do të jetë më i miri dhe do të vazhdoj të shënoj”.