Skuadra angleze Manchester City rrezikon të ndëshkohet nga FIFA me bllokim të 2 sesioneve të merkatos së saj, lajm që u publikua nga e përditshmja britanike ‘The Telegraph’. Shkak për dënimin e mundshëm të kampionëve të saposhpallur të Anglisë është nënshkrimi me Benjamin Garrè në vitin 2016.
Argjentinasi Garrè luan si sulmues i majtë dhe ka qenë pjesë e skuadrës së Velez, por një ditë përpara se ai të festonte 16 vjetorin e tij, firmosi me Manchester City, diçka që del kundër normave të FIFA që thekson se është e ndaluar të nënshkruhen kontrata me lojtarë që janë nën moshën 16 vjeç. Velez e denoncoi skuadrën angleze duke theksuar se anëtarë të kësaj skuadre hynë në kontakte me të përpara se ai të mbushte 16 vjeç. Manchester City u përpoq që të mbrohej duke thënë se ata mund të kontaktonin me atë lojtar edhe pse nuk e kishte mbushur moshën pasi ishte me pasaportë italiane, por ky rregull vlen vetëm për klubet evropiane.
Çështja do të diskutohet gjatë kësaj javë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv ku do të merret edhe vendimi. Por duke parë atë çfarë ka ndodhur edhe në të kaluarën me Barcelonën, Realin dhe Atletiko Madrid për raste të ngjashme, Manchester City me shumë gjasa përveçse do të ndalohet të bëjnë blerje në 2 sesione te merkatos, do të duhet të paguajë edhe një gjobë. Megjithatë, Manchester City do të ketë mundësinë të apelojë vendimin nëse do të ndëshkohet në mënyrë që të kenë mundësi të bëjnë blerje gjatë verës. Ndërkohë, gara vazhdon të jetë pjesë e ekipit të të rinjve të Manchester Cityt dhe në këtë sezon ka luajtur 22 ndeshje me 6 gola të shënuar.