Pauza e kampionatit duket se është vërtetë e mallkuar për Antonio Conte e Interin e tij. Pas dëmtimeve të marra me kombëtaret për Sanchez (3 muaj jashtë) e D’Ambrosio (të paktën 15 ditë stop), tekniku zikaltër humb përsëri Sensin. Mesfushori, i dëmtuar kundër Juventus, dukej fare pranë rikthimit në fushë në Champions kundër Borussia Dortmund, por është dëmtuar përsëri në muskulin psoas.
Një dush i ftohtë për shpresat e tifozëve zikaltër, që u konfirmua nga komunikata zyrtare e klubit: “Stefano Sensi i është nënshtruar rezonancës magnetike të kontrollit. Mesfushori zikaltër, në fazë rigrupimi me skuadrën si pasojë e zgjatjes së aduktorit të pësuar gjatë Inter-Juventus, ka ndjerë një shqetësim në kofshën e djathtë gjatë stërvitjes së djeshme. Kontrollet kanë evidentuar një ngarkesë të muskulit psoas. Gjendja e Sensi do të rivlerësohet në ditët e ardhshme”.
Ende të pacaktuara kohët e rikuperimit, por tashmë është e pamundur që ish-Sassuolo të mund të kthehet të luajë të mërkurën për sfidën vendimtare të Champions League kundër Borussia Dortmund. Një problem më shumë për Conte, që nuk mund të ketë një prej lojtarëve më të rëndësishëm e në formë të skuadrës.