Talentët shqiptarë po bëjnë namin nëpër botë, por Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon të qëndrojë duarkryq.
Shumë të rinjë kanë zgjedhur shtetet e huaja për të jetuar, aty ku kanë hedhur edhe hapat e para në sport, e ku shpesh kanë zgjedhur të aktivizohen me kombëtaret e vendeve pritëse. Rasti më i freskët është ai i Marjan Lleshit, që ka zgjedhur Francën për të "ngjallur" ëndrrën që në vegjëli dhe shumë shpejt mund ta shikojmë me fanellën e "gjelave".
Ashtu, i imët dhe pa ndrojtje, 16-vjeçari nga Mirdita ka zbritur në fushat e blerta në vendin kampion bote, ku ka fituar sigurinë tek vetja dhe atë të trajnerit. Cilësitë e tij, treguar në krahun e majtë të mbrojtjes kanë bindur Saint Vrain që t'i ofrojë një kontratë si profesionist dhe në ndihmë i ka ardhur edhe Federata Franceze e Futbollit.
Ekskluzivisht për "Ora News", Lleshi ka vënë në dispozicion dokumentin e "OK" nga Federata Franceze, ku i ndez dritën jeshile për tu aktivizuar në kampionatet e saj. Ndërkaq, në një prononcim për "Ora News", lojtari i ekipit U-17 të Saint Vrain ka zbuluar se në ditët e ardhshme i është rezervuar një takim me krerët e Federatës Franceze për tu përfshirë në ekipet e moshave të kampionëve në fuqi të Botës, pavarësisht se zemra e tij rreh kuqezi.
"Kam vetëm 3 javë që jam pranuar në ekip, ku kam luajtur në të gjitha ndeshjet si titullar. Jam më i vogël nga kundërshtarët, megjithatë kjo nuk më tremb aspak. Më kanë kontaktuar edhe nga Federata franceze për tu aktivizuar me kombëtaret e moshave këtu. Muajin e ardhshëm do të kem një takim me ta dhe do të shikoj se çfarë do të vendos. Dëshira ime është që të vij dhe të luaj me Shqipërinë, por nga Federata Shqiptare ende nuk më ka kontaktuar askush. Zemra ime rreh kuqezi dhe kontakti i parë me ta do të më ndryshonte totalisht mendjen."
Një sinjal alarmi ky për Federatën tonë, që duhet të zgjohet sa më shpejt nga "gjumi", pasi talentet po na kalojnë shpesh në plan të dytë dhe herë-herë vijojnë ta driblojnë rrugën drejt kombëtares.