Partizani e ka nisur sezon me nerva të acaruara, pasi që në javën e parë, kanë koleksionuar kartonin e kuq me protagonist Theofilus Solomon. U bë e disata ndeshje që “demat” e pësojnë prej kartonëve të kuq që janë 7 në dy faza.
Solomon numëron dy të kuq deri më tani, ndërsa nga një kanë Aristoteles Romero, Bruno Telushi, Deian Boldor, Uilliam Melo dhe Ron Broja. Skuadra është e padisiplinuar, pasi edhe kartonët e verdhë janë të shumtë, 35 në 18 ndeshje. Partizani e ka vuajtur shpesh mungesën e lojtarëve, për shkak të pezullimeve nga sjellja e tyre, ndaj mësohet se drejtuesit u kanë tërhequr vëmendjen futbollistëve.
Të besuarve të trajnerit Sormani u kërkohet që të jenë të qetë dhe të kujdesshëm, në mënyrë që skuadra të mos penalizohet nga sjellja e tyre. Për momentin, bëhet fjalë vetëm për “tërheqje veshi”, jo për masa disiplinore për kartonët e shumë të marrë nga ekipi.