Legjenda e basketbollit, Kobe Brayant, së bashku me vajzën e tij 13-vjeçare dhe shtatë persona të tjerë humbën jetën nga rrëzimi i helikopterit në një kodër të Los Angeles, Calabasas. Mediat e huaja hedhin dyshime se rrëzimi i helikopterit ishte shkak i motit, pasi në atë zonë mbizotëronte mjegulla.
Madje edhe në komunikimin e fundit të pilotit me bazën ishte folur për këtë fakt.
Helikopteri, që u ngrit nga aeroporti i John Ëayne për në aeroportin Camarillo kishte përshkuar atë intinerat rruge më shumë se 20 herë, që nga fundi i 2018, por në 26 janar, kur ndodhi edhe aksidenti fatal ai zgjodhi një rrugë të ndryshme për shkak të shikueshmërisë së ulët, si pasojë e mjegullës.
Një zëdhënës i NTSB tha të hënën se piloti i helikopterit komunikimin e tij të fundit tek kontrollorët e trafikut ajror tha që do të përpiqet të ngrihet për të shmangur një “shtresë mjegulle”. Të dhënat e radarit treguan se helikopteri u ngjit në 2300 metra dhe më pas mori në një kthesë majtas.
Pasoja e asaj ngjitjeje ishte fatale. Helikopteri u copëtua dhe hekurat e tij u përhapën në një sipërfaqe prej 180 metrash.
“Ka një pikë përplasjeje në një kodër dhe një pjesë e bishtit të helikopterit është në anën e majtë. Boshti është në anën tjetër të kodrës dhe motori kryesor është rreth 90 metra më tej “.
Helikopteri Sikorsky S-76B fluturoi në mjegull dhe në një lartësi të ulët, duke iu përmbajtur rregullave të fluturimit “Special VFR”, domethënë fluturimit të orientuar nga shikimi, me lejen e veçantë të Qendrës së Kontrollit të Trafikut Ajror. Në praktikë kjo do të thotë që helikopteri po fluturon nën përgjegjësinë e operatorit për shkak të shikueshmërisë së zvogëluar.
Helikopteri që transportonte Kobe Bryant dhe tetë të tjerë u ngrit nga aeroporti John Ëayne në Orange County, California, të Dielën në mëngjes në orën 9:06 me kohën lokale.
Duke u drejtuar në veriperëndim, destinacioni përfundimtar ishte Akademia Sportive Mamba e Bryant në Parkun Neëbury. Do të kalonte hapësirën ajrore të Los Anxhelosit, por iu kërkua të pilotonte mbi Glendale në mënyrë që të lejonte një avion të zbriste në një aeroport aty pranë.
Helikopteri më pas vazhdoi drejt veriut, përpara se të nisej drejt jugut. Në momentet e fundit të fluturimit, helikopteri kishte zhvilluar një shpejtësi prej 120-160 nyje. Pastaj filloi të lëvizë shumë më shpejt dhe të humbasë lartësinë me një ritëm po aq të shpejtë – rreth 5,000 metra në minutë. Sinjali i fundit i transmetuar nga komunikimet dhe pajisjet përcjellëse të helikopterit u regjistrua në 9:45.