Është e sigurt. Jurgen Çelhaka, zbulimi i sezonit, Albi Doka dhe Ernest Muçi nuk do të jenë bardheblu. Triada e Tiranës me të gjitha gjasat do të veshin bluza të tjera. Të tre do të shiten për t’i sjellë të ardhura klubit. Burime pranë Tiranës bëjnë me dije se dy lojtarët e akademisë, Çelhaka dhe Muçi, do të largohen kundrejt një shume goxha të majme, ashtu si edhe Doka. Të gjithë lojtarët mund të sjellin 1 milion euro te bardheblutë.
Çelhaka
Futbollisti shqiptar, Jurgen Çelhaka, është synimi i radhës i skuadrës së Dinamos së Zagrebit. Lojtari 19-vjeçar i Tiranës po synohet nga skuadra kroate, e cila njihet për afrimet e futbollistëve shqiptarë që bën. Aktualisht, aty është Arian Ademi, ndërsa më herët ishte Amir Rrahmani.
Interesimi i ekipit kroat është konkret dhe në adresë të klubit bardheblu janë propozuar edhe formulat e ndryshme se si mund të finalizohet konkretisht një lëvizje e tillë. Skuadra kroate është e gatshme që për kartonin e djaloshit të japë shifra që i tejkalojnë 400 mijë eurot. Në lojë janë edhe skuadra të tjera nga Seria B apo klube nga Lindja.
Muçi
Ernest Muçi ka shkëlqyer me skuadrën Kombëtare U-19. Djaloshi, në një turne të zhvilluar në Kroaci, ka shënuar ndaj bashkëmoshatarëve të Realit të Madridit, por edhe ndaj atyre të Dinamos së Zagrebit. Kjo ka bërë që këta të fundit të zgjasin antenat për futbollistin e Tiranës. Së fundmi, Muçi po gjen hapësira me kryeqytetasit.
Gazeta ka mësuar se skuadra gjigante kroate ka bërë një kërkesë zyrtare në klubin bardheblu në vendin tonë. Një ofertë prej 300 mijë eurosh është bërë për kartonin e 18- vjeçarit.
Doka – Problem mbetet Albi Doka dhe kontrata. Nëse rinovon, do të largohet duke u dhënë të ardhura bardhebluve, por ekziston mundësia që ai të mos rinovojë dhe të largohet me parametër zero.
Doka po ndiqet nga shumë ekipe të huaja, mes të cilave edhe Sherif Tiraspoli. Sido që të jetë, në fund të kampionatit, të tre lojtarët është e sigurt që largohen nga Tirana.