Lazio po përjeton një ëndërr të bukur në Serie A, ndodhet vetëm një pikë larg kreut, një ecuri e jashtëzakonshme e cila ka bërë që fjala titull të mos jetë një tabu në kryeqytet. Pavarësisht se shifrat e thonë diçka të tillë, askush nuk dëshiron të nxitohet, objektivi kryesor mbetet Champions League, një objektiv që po merr formë javë pas javë teksa ndodhen plus 11 pikë nga Atalanta e vendit të 4-ët. Igli Tare me stafin e tij ka arritur të ndërtoj diçka që shumë pak veta e imagjinonin, jo vetëm që janë në garë për objektiva të rëndësishëm por dhe e ardhmja premton shumë në një kohë kur pjesa më e madhe e formacionit kërkohet nga klubet më të rëndësishme në Europë.
Sipas “TuttoSport”, Real Madrid vijon të ndjek me interes paraqitjet e Milinkovic-Savic, këtë verë, nëse dështon pista Pogba, mesfushori serb pritet të jetë objektivi kryesor. Tare dhe Lotito janë në dijeni të këtij fakti, nuk ka ndërmend ti mbyllin dyert presidentit Perez por nëse Milinkovic-Savic do të largohet kjo do të ndodh vetëm sipas kushteve të Lotitos. Gjithnjë sipas të përditshmes torineze, presidenti i Lazios kërkon 50 milion euro kesh plus kartonin e James Rodriguez.