Ndeshja e fundit në “Premier League” e Manchester United e luajtur mbrëmë kundër Bournemouth tregoi se marrëdhëniet mes Mourinho-s dhe Paul Pogba-s kanë prekur pikën zero.
Rezultati mbeti në plan të dytë pasi e gjithë vëmendje u përqendrua në minutën e 58-t kur mesfushori francez u largua nga loja dhe vendin e tij e mori Antony Martial.
Blerja më e shtrenjtë e “djajve të kuq” ishte shumë i ftohtë kur doli nga loja, njëjtë ishte edhe reagimi i Mourinho-s. Francezi ka pasur një shtrëngim duarsh me veteranin e klubit, Michael Carrick, dhe ndihmësin e trajnerit portugez, Rui Faria.
Mourinho, 55 vjeç, nuk u përshëndet me lojtarin e tij. Kur u pyet për Pogba, pas ndeshjes së fundit, portugezi tha: “Unë jam trajner i ekipit dhe jo një tifoz i madh i tij.
Sidoqoftë, ai luajti shumë mirë. Kundër Manchester City ishte fenomenal. Edhe kësaj here, ai ishte shumë, shumë i mirë”.
Legjenda e “Djajve të Kuq”, Paul Scholes, beson se Pogba mund të jetë në rrugën e largimit të tij nga “Old Trafford”, në verë. Ai tha: “Po, unë mendoj se mund të largohet. Nuk di gjëra konkrete, sepse nuk flas në të vërtetë me askënd në klub. Por, nga jashtë, teksa i shikon gjërat, duket sikur marrëdhënia nuk është e mirë”.