Komisioni i Disiplinës ka bërë publike ditën e sotme, dënimet për parregullsitë në 2 takimet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.
Lojtari i Laçit, Ndriçim Shtubina është dënuar me 2 ndeshje nga Komisioni i Disiplinës për incidentet e ndodhura pas përfundimit të ndeshjes, ndërsa tifozeria e Kukësit do të vuaj pezullimin me 1 ndeshje të spektatorëve, për sjelljet e gabuara të tifozëve në ndeshjen ndaj Laçit. Flamurtari këtë herë ia ka hedhur me një paralajmërim, për sharjet e tifozëve.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës:
- 1. Lojtari i KF “Laçi”, Ndriçim Shtubina, për provokim të publikut, në bazë të nenit 53/1 të KDS, dënohet 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- 2. KF “Kukësi”, për sjellje të gabuar të spektatoreve, në bazë të nenit 66/1 dhe 66/3.a të KDS, dënohet me 1 (një) ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës.
- 3. FC “Flamurtari”, në bazë të nenit 13 të KDS, paralajmërohet se në rast përsëritje të sjelljes së gabuar të spektatorëve, do të dënohet sipas dispozitave që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.