Liverpool me Manchester City do të përballen në stadiumin “Anfield” nesër në orën 20:45, sfidë për çerekfinalet e “Champions League”. Në intervistën para mediave, trajneri gjerman i ‘The Reds’, Jurgen Klopp, ka vënë në dukje faktin se Pep Guardiola nuk ka bërë ndonjë mrekulli, pasi fitoret i ka arritur për shkak se në skuadrat që ka drejtuar ka patur shumë ‘yje’.
“Ekipet e tij janë gjithmonë të pozicionuara në mënyrë të shkëlqyeshme. Vendosja është e rëndësishme, por nuk është magji. Ai gjithmonë ka pasur lojtarë të shkëlqyer, që kanë krijuar skuadra të shkëlqyeshme.
Te Barcelona ishin Xavi, Iniesta, Busquets, Lionel Messi. Te Bayern Munich, gjithashtu, kishte lojtarë fantastikë, që krijuan një skuadër shumë të mirë. E njëjta gjë te Manchester City. Silva, Agüero, Sané, Sterling dhe Jezus janë të jashtëzakonshëm”.
Duke krahasuar stilinmidis tyre, Klopp, gjithashtu, nuk është se evidenton spanjollin: “Në të vërtetë nuk ka dallime të mëdha, vetëm se Pep gjithmonë ka pasur skuadra më të mira në komandën e tij. Skuadrat e tij kanë qenë gjithmonë me lojtarë të klasit botëror, ndërsa ato të miat kanë pasur nevojë të përmirësohen paksa… financiarisht”.
Interesant është fakti se Jurgen Klopp është trajneri që ka marrë më shumë fitore kundër Pep Guardiolës.