Trajneri kroat Mario Tokiç ishte në tribunën e ‘Selman Stërmasit’, ndërkohë që luhej sfida mes Partizanit dhe Skënderbeut.
Zërat e mediave shqiptare e lidhin të ardhmen e tij me stolin e të kuqve, që mesa duket nuk kanë ndërmend t’ia besojnë Dalipit Partizanin e sezonit të ardhshëm.
Vetë tekniku aktual i të kuqve tha pas ndeshjes me korçarët se nuk e dinte pse ka ardhur kroati dhe se vijonte të ishte besimplotë ndaj drejtuesve të klubit.
“Të them të drejtën unë nuk e di se kush ishte në tribunë sot dhe as nuk merrem me aludimet e mediave, pasi u besoj fjalëve që kam bërë me drejtuesit e skuadrës, që më kanë dhënë një mundësi dhe dua ta shfrytëzoj”, tha Dalipi.
GJithsesi, tekniku elbasanas tha se do t’i vinte keq nëse do të largohej në fund të sezonit, ndërsa shtoi se te partizani qëndron vetëm si trajner i parë.
“Do të më vinte keq nëse nuk do më besohej skuadra për sezonin e ardhshëm, pasi kam shumë ide në kokë, që pres t’i vënë zbatim sapo të mbarojë sezoni. Nëse duhet të vijë një trajner tjetër, unë nuk do të qëndroj më si ndihmës te Partizani, pasi dua të vijoj karrierën time si trajner. Gjithsesi, tani jam i përqendruar që të bëj sa më mirë me këtë klub, deri në fund të sezonit dhe ta kualifikoj Partizanin në Europa League”, u shpreh trajneri i të kuqve pas ndeshjes me Skënderbeun për SUPERSPORT.