Shtohet edhe një tjetër nga klubet më të mëdha të Europës që interesohet për Paulo Dybala. Sipas “Bild”, Bajreni i Mynihut e sheh sulmuesin argjentinas si pasuesin ideal të Robert Lewandowskit.
Për t’ia marrë argjentinasin Juventusit, Bajreni është gati të shpenzojë 100 milionë euro.
Drejtuesit e Juventusit duhet ta mendojnë mirë këtë ofertë, që me shifrat stratosferike të shpenzuara vitet e fundit në merkato duket e ulët. Por, nga ana tjetër, Dybala ka pasur ulje-ngritjet e tij përgjatë sezonit, madje edhe marrëdhëniet me Allegrin nuk kanë qenë ndër më të mirat.
Tekniku livornez që në shumë raste e ka lënë stol, duke e konsideruar zgjedhje të dytë për sulmin. Juventusi pritet të bëjë ndryshime të mëdha në grupin e tij, pasi dihet që Gigi Buffon pritet t’i thotë lamtumirë futbollit të luajtur, ndërsa Alex Sandro është me valixhe në duar. Edhe Mandzukic me shumë mundësi po jeton ditët e fundit në Torino, pasi drejtuesit po mendojnë për rifreskimin e skuadrës me lojtarë të rinj dhe tepër cilësorë. Për këtë arsye edhe ofertat për Dybalan mund të merren në konsideratë, pikërisht në funksion të riorganizimit të kampionëve të Italisë për sezonin e ardhshëm.