Rrahja e gjyqtarëve në Vlorë, FSHF: 0 tolerancë ndaj Flamurtarit, autorët të shkojnë në burg

Diel, 06 May 2018 18:35

Pas ngjarjeve të ndodhura në Vlorë pas përfundimit të ndeshjes, Flamurtari-Vllaznia, ku u dhunua asistenti i parë, Ilir Tartari, ka reaguar edhe FSHF-ja, nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare.

 Federata Shqiptare e Futbollit dënon me forcë dhunën verbale që tashmë është shndërruar në dhunë fizike.

Në reagimin e saj FSHF-ja tregon se do të ketë 0 tolerancë ndaj klubit të Flamurtarit dhe kërkon ndihmën e policisë dhe prokurorisë për të vënë në përgjegjësi autorët.

Reagimi i FSHF-së:

Dhuna e ushtruar të shtunën në mbrëmje mbi arbitrin dhe zyrtarin e ndeshjes në përfundim të takimit Flamurtari-Vllaznia, në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës ka tronditur mbarë opinionin sportiv si një akt shumë i shëmtuar dhe i dënueshëm.

Ky agresion fizik karshi asistentit të parë të arbitrit, dhe më pas edhe ndaj vëzhguesit të ndeshjes, ka ndodhur në prani të forcave të policisë në stadium, por duke mos e parandaluar atë. Ky rast është denoncuar zyrtarisht edhe pranë autoriteteve ligj zbatuese në Vlorë.

FSHF i bën apel Policisë së Shtetit, për të zbardhur të plotë një incident të tillë, ku pas dëshmisë dhe denoncimit të arbitrit të dhunuar përpara Oficerit të Policisë Gjyqësore të veprojë menjëherë në bazë dhe zbatim të ligjit, për të çuar përpara drejtësisë agresorët që zbritën dhe goditën arbitrat dhe zyrtarët e ndeshjes.

Po kështu, organizatori i ndeshjes, klubi i futbollit Flamurtari mban përgjegjësi direkte për mosmarrjen e masave për organizimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, dhe aq më shumë për ti mbrojtur miqtë në shtëpinë e tyre.

FSHF dënon me shumë forcë dhunën verbale tashmë të shndërruar në dhunë fizike.

Goditja karshi zyrtarëve të ndeshjes mbetet një akt tërësisht antisportiv dhe si i tillë do të ketë zero tolerancë nga ana e Drejtësisë Sportive.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria duhet të çojnë deri në fund zbardhjen e këtij agresioni të shëmtuar dhe të vënë përpara përgjegjësisë penale autorët e tij.

Login to post comments