Klubet që synojnë pjesëmarrjen në kompeticionet e UEFA-s duhet të plotësonin kriteret administrative, infrastrukturore, ligjore dhe sportive brenda datës 28 shkurt të këtij viti; si dhe kriterin financiar brenda datës 31 mars, që përkon me mbylljen e vitit kalendarik ekonomik.
Afrimi i fundit të sezonit dhe llogaritë që të çojnë në kupat kontinentale e kanë shtyrë FSHF-në të sqarojë opinionin publik mbi procesin.
“Të gjitha të dhënat e kriterit financiar, që përfshijnë bilancin, pagesat e lojtarëve, detyrimet ndaj organeve tatimore dhe palëve të treta, klubet i hedhin vet ‘online’ në portalin e UEFA-s, ku Federata ka vetëm rol mbikëqyrës dhe asnjë mundësi ndërhyrjeje”, thuhet në komunikatë.
Sipas FSHF-së licencimi është një proces me dy faza të ndryshme, një për kompeticionet europiane dhe një për ato vendase.
Federata Shqiptare këmbëngul gjithashtu se UEFA nuk i ka hequr asnjë moment, asnjë autorizim për licencimin federatës, e cila nuk humbet asnjë të ardhur nga ato që përfiton prej UEFA-s.
Ndërsa për sa i përket çështjes së klubit Tirana, pikët e zbritura ndaj bardhebluve janë bërë vetëm për shkak të problemeve me likujdimin e futbollistit Gjergji Muzaka, e jo për shkak të kritereve licencuese.