Të paktën edhe për 3-4 muajit në vijim euro do të vijojë të jetë i dobët kundrejt lekut shqiptar. Eksperti i ekonomisë, Ardian Civili i ftuar në studion e lajmeve të Ora News analizoi shkakun kyresor të zhvlerësimit të monedhës euro.
“Shkaku kryesor është prishja e ekuilibrit ose balancës mes prezencës së euros dhe lekut në treg. E thënë ndryshe oferta monetare ose sasia e eurove në treg është disa qindra milionë euro më e madhe krahasuar me një vit apo 2,3 vjet më parë. Ndërkohë që oferta e lekut jo vetëm që nuk është zgjeruar, por në disa raste dhe është zvogëluar. Në këtë sens edhe paraja si çdo mall tjetër nga kërkesa dhe oferta në treg përcakton dhe vlerën e saj. Në këtë kuptim në gjithë këto muajt e fundit si pasojë e këtij presioni leku është përforcuar dhe euro është dobësuar, deri në nivelet historike të rënies së euros”, tha Civici.