Bilanci i vettingut, kush e kaloi dhe kush jo

Saturday, 16 June 2018 18:27

Bilanci i vendimeve të KPK-së për katër mujorin duke se ka kaluar në favor të subjekteve që janë rikonfirmuar në detyre. Deri tani 8 gjyqtarë e prokurorë, kryesisht edhe kandidatët të organeve te reja KLGJ, KLP dhe KED, janë rikonfirmuar në detyre ndërsa janë rrëzuar 5 gjyqtarë e prokurorë të cilet nuk  kanë justifikuar pasurinë. Të rrëzuarit i janë drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit duke kërkuar rrëzimin e vendimit të shkallës së parë. 

Për katër muaj që kanë nisur seancat dëgjimore, Komisioni i Vetingut ka thirrur në seanca dëgjimore 14 prokurorë e gjyqtarë, nga të cilët 8 e kanë kaluar me sukses duke u rikonfirmuar në detyrë, 5 janë rrëzuar ndërsa  për 1 vendimi pritet të shpallet në datën 20.

5 subjektet, të cilët nuk kanë mundur dot të kalojnë fazën e parë të verifikimit dhe automatikisht janë pezulluar nga detyra, janë kryesisht anëtarë të Gjykatës Kushtetuese si dhe kandidatë për KLGJ dhe KLP.

Kështu sipari i rrëzimeve nisi me anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, më pas vijoi me kolegët e tij Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha. Të njëjtin fat e kanë patur dhe dy kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë Besa Nikëhasani dhe Besim Trezhnjeva.

Ndërsa kanë kaluar testin dhe janë rikonfirmuar në detyrë dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha dhe Bashkim Dedja.

Prokurorja e Apelit dhe njëkohësisht anëtarja e KED,  Fatjona Memçaj, anëtari i Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj, prokurori Dritan Prençi njëkohësisht kandidat për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, prokurorja Anila Leka edhe kjo kandidate për në KLP si dhe gjyqtarët Marçela Shehu dhe Manjola Xhaxho kandidate për në KLGJ.

Komisioni pritet të shpallë vendimin për prokurorin e Apelit Gentian Trenova, i cili është njëkohësisht edhe një nga anëtarët e Keshillit të Emerimeve në Drejtësi.       

Pothuajse për të gjithe subjektet, komponenti  kryesor që ka ndikuar në konfirmimin apo jo në detyre ka qenë pasuria.

Megjithëse shume prej tyre kishin zgjedhur te mos ishin të martuar ligjërisht por në bashkëjetesa gati 20 vjeçare me partnerët e tyre, sërisht kjo nuk i ka ndihmuar për të justifikuar shumë prej të ardhurave.

Një tjetër  dukuri në të ardhurat e tyre te deklaruara kanë qenë dhuratat apo huatë e marra nga të afërmit, të cilat në shumë raste janë në vlera të kosiderueshme por të pa shoqëruara me kontrata ligjore  për t’i provuar.

Por pavarësisht vendimeve të dhëna jo në favor të tyre, të pesë gjyqtarët dhe prokurorët e rrëzuar kanë vijuar betejen ligjore duke iu drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili do të marrë nje vendim final si shkalla me e lartë e vetingut dhe nese edhe ketu nuk do të gjejnë  të drejtën e pretenduar ateherë i vetmi institucion që u ngelet është Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Modifikuar më Saturday, 16 June 2018 18:29
Login to post comments