Numri i abonentëve të internetit nga linjat fikse i është kthyer rritjes me ritme të larta në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, numri i pajtimtarëve të internetit me linja fikse, në fund të tremujorit të parë ishte rreth 314 mijë.
Në tre muajt e parë të vitit, shërbimit të internetit i janë shtuar afro 20 mijë abonentë.
Ndërkohë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i abonentëve të internetit me linja fikse është rritur me 18%.
Paralelisht, në treg vazhdon tendenca e rritjes së shërbimeve të integruara, ku përfshihen interneti, telefonia dhe televizioni.
Numri i abonentëve që marrin të paktën dy prej këtyre shërbimeve njëkohësisht ka arritur në 211 mijë, në rritje vjetore me 12%.
Prej tyre, afro 102 mijë abonentë marrin njëherësh tre shërbime përmes një lidhjeje të vetme. Përfshirja e platformave televizive me pagesë i ka dhënë një shtysë edhe më të fortë zgjerimit të shërbimeve të integruara të komunikimit.
Në vitet e fundit, ka një konkurrencë në rritje mes operatorëve të shërbimit, duke zgjeruar rrjetet e tyre edhe përmes teknologjive më të reja, si fibra optike.
Megjithatë, kjo shtrirje ngelet më e përhapur në zonat me përqendrim të madh të popullsisë, iku interesi ekonomik i operatoëve është më i lartë.
Në nivel kombëtar, depërtimi ende relativisht i ulët i linjave fikse ngelet një pengesë për të rritur numrin e abonentëve të internetit edhe jashtë qendrave të mëdha urbane të vendit./scan.tv