Gjykata e Shkodrës ka vendosur sot të lërë në masën e sigurisë “arrest me burg”, Kristian Vasën 25 vjeç. Vasa është një personazh i njohur për drejtësinë, pasi shkaktoi një aksident me vdekje në 2011, por i shpëtoi drejtësisë.
Ai ishte drejtuesi i njërit prej mjeteve të përfshirë në aksidentin e ndodhur me 24 qershor 2018 në fshatin Rrenc të njësisë Guri Zi. Në atë përplasje u përfshinë në total 7 persona, 5 nga familja Ndreka banues në Juban dhe 2 të tjerë në mjetin tjetër të drejtuar nga 25-vjeçari.
Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar për dhënien e masës së sigurisë prokuroria kërkoi “arrest me burg” për drejtuesin e mjetit ndërsa pala mbrojtëse kërkoi një masë lehtësuese ndaj 25-vjeçarit. Në fund gjykata vendosi “arrest me burg” ndaj tij.
Aksidenti ndodhi te kthesa e Rrencitm shkaktoi 7 persona të plagosur, ndër të cilët tre në gjendje të rëndë dhe katër të tjerë jashtë rrezikut për jetën.
25-vjeçari po drejtonte një mjet “Mercedes Benz” me targë AA 195 MV kur është përplasur me mjetin tip “Opel” me targë AA 449 GE. Tek ky mjet ndodhej familja Ndreka të cilët mbetën të plagosur.
Nga anëtarët e kësaj familje dy prej tyre, shoferi Vitor Ndreka dhe vajza e tij L. Ndreka 17 vjeçe morën dëmtime të rënda. E reja 17-vjeçare u dërgua drejt Tiranës për mjekim të specializuar ndërsa Vitor Ndreka qëndroi fillimisht për mbi një orë i bllokuar në mjet derisa u arrit që të nxirret nga zjarrfikëset dhe policia bashkë me ndihmën e banorëve e kalimtarëve të rastit duke u transportuar më pas në spitalin rajonal të Shkodrës.
Pas kësaj ngjarje policia arrestoi drejtuesin e mjetit tjetër Kristian Vasa i cili rezulton se po ecte me 130 km në orë në një rrugë të vështirë si ajo Shkodër – Guri Zi.
Por kjo nuk është hera e parë që Vasa përfshihet në aksidente. Në 19 shtator 2011 në të njëjtin segment Shkodër – Guri Zi ai u përfshi në një aksident, pasi përplasi një çift që po udhëtonte me motor, ku vdiq një vajzë.
Avarësisht kësaj Vaso nuk u akuzua për aksidentin duke i shpëtuar drejtësisë.