Norma e përqindjes së punës part-time nuk është aspak tregues i nivelit të zhvillimit të një ekonomie apo shoqërie të caktuar. Për të vërtetuar këtë, mjafton të themi që Bullgaria është vendi me normën më të ulët, në 2.2% dhe Hollanda vendi me normën më të lartë, në 49.8%.
Të dhënat e Eurostat në lidhje me punën e pjesshme, ose part-time janë përpunuar nga “ilsole24ore” dhe arrijnë në përfundimin se, në vendet ku ky lloj punësimi është më pak i përhapur, nuk është për shkak zgjedhje, por për shkak se nuk kanë gjetur dot punë tjetër.
Jo rastësisht, në vendet më të zhvilluara të Europës kjo normë është më e lartë, pasi këtu janë vetë njerëzit që zgjedhin ta kenë punën e tyre jo të plotë. Kjo gjë duket qartë edhe nga harta, ku ngjyra e errët përfaqëson vendet ku norma është më e lartë.
Po në vendin tonë sa është kjo normë? Të dhënat më të fundit nga Banka Botërore tregojnë se në Shqipëri norma e punësimit part-time fiksohet në 20% të totalit, që është edhe norma më e lartë në rajon. Duke parë hartën të ndarë si me thikë, mes perëndimit dhe lindjes së kontinentit, me një normë në 20%, Shqipëria duket sikur është gabimisht në krahun e lindjes. Të paktën në drejtim të qasjes ndaj punës, shqiptarët duket se janë më europianë se vetë europianët.