Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka lajmëruar nëpërmjet një njoftimi në “Facebook” zhvillimin e një proteste ditën e enjte kundër projektligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar. Protesta do të nisë në orën 10:00 përpara Parlamentit. Duke e cilësuar procesin e votimit të projektligjit si të turpshëm dhe antikushtetues ata ftojnë qytetarët të dalin në protestë kundër kësaj marrëzie.
Njoftimi i plotë
Parlamenti ka futur për votim në seancën e të enjtes me procedure të përshpejtuar projekligjin më të turpshëm në historinë e parlamentarizmit. Ky projektligj parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar, i cili është pjesë e ansamblit historik monumental të qendrës së Tiranës dhe symbol i identitetit kombëtar, si edhe kalimin e mbi 8000 m2 truall publik në pronësi të firmës Fusha.shpk e cila autorizohet të ndërtojë aty kulla shumëkatëshe.
Ky projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe një seri ligjesh të tjera të Shqipërisë. Artistë, aktivistë, intelektualë e qytetarë kanë muaj që protestojnë kundër kësaj marrëzie e cila nëse kthehet në realitet rrezikon të zhdukë përgjithmonë një nga godinat më të vjetra dhe më domethënëse në Tiranë si edhe ti falë truallin publik më të vlefshëm një kompanie private.
KJO ËSHTË NJË VJEDHJE!
KY ËSHTË SHKATËRRIM!
Ditën e enjte, ne do të jemi përballë Parlamentit për të kundërshtuar me forcë marrëzinë dhe babëzinë. Mund ti ndalim nëse edhe ti bashkohesh!
Të presim të enjten ora 10:00 para Parlamentit!
Protestës pritet ti bashkohet edhe opozita e cila gjatë gjithë kësaj kohe ka treguar vendosshmërinë e saj kundër shembjes së Teatrit dhe ka qenë krah artistëve për këtë kauzë kaq të rëndësishme. /55news.al/