Akademiku Artan Fuga ka kritikuar ashpër ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, për justifikimet e saj për planin për të prishur godinën e Teatrit Kombëtar. Në tryezën e rumbullakët me artistët Fuga theksoi se në Shqipëri mungon filozofia e ruajtjes së trashëgimisë dhe kulturës dhe politika shqiptare ka qenë e paaftë në 30 vite që të ndërtojë një strategji të tillë.
Ai deklaroi se zëvendësimi i godinës së teatrit nuk mund të konsiderohet politikë kulturore për të ruajtur identitetin tonë.
Pjesë nga fjala e Artan Fugës:
Nuk kam folur deri tani për dy arsye:
E para për të lënë ata që kanë fjalën profesionale dhe që statusi i tyre i jep një prioritet edhe që kaun dëgjueshmëri më të madhe në këtë pikë
Prej kohësh kam edhe një mendim që më brengos, që ne si intelektualë, kam përshtypjen se në këto 10-20 vite, kemi rënë në një kurth që ndoshta ishte i pashmangshëm, që do të thotë ne i jemi nënshtruar një ligji të formimit të opinionit që ai ka një diskurs më të lartë çedon atë që ka një diskurs më të vogël. Ne kemi braktisur strukturimin e të folurit në fushat tona kulturore, për të rënë herë pas here në statusin e komentatorit dhe atij që flet me gjuhën e dikujt, pra politikisht.
Me këtë kemi pësuar dy goditje të forta: Kemi humbur statusin e intelektualit dhe kemi humbur statusin e ligjërimit.
Ajo që na mungon është një filozofi e ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Nuk kemi një strategji për ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë sonë. Politika ka qenë e paaftë në 30 vite ta ndërtojë dhe sot është akoma edhe më e paaftë.
Si mund të ndërtohet një strategji e kulturës kur thuhet se ajo godinë ka qenë e ‘dopo lavoro’? Ndërtesa e tearit simbolizon materien e një vullneti shpirtëror tonin që reflektohet aty.
Unë habitem se si një ministre, me një injorancë të pashoqe, nxjerr këto argumenta ndërkohë që duhet të thoshte: çfarë po flas? Na thuhet se do të prishim këtë dhe do të bëjmë një gjë zëvendësuese. Zëvendësimi si politikë kulturore për të ruajtur identintin kulturor të vlerave tona? Nuk ka pikën e argumentit. Teatrin dhe historinë nuk mund ta bëjë pushtetari.
Ne kemi një qytet që ka rënë moralisht dhe një elitë politike që nuk mendon se ka një lidhje midis shembjes së teatrit dhe shtimit të krimit.
Duhet të përpiqemi të bëjmë dhe të propozojmë një strategji për kulturën tonë.