BMI Research, pjesë e grupit të njohur ndërkombëtar të vlerësimit, Fitch, ka publikuar në korrik raportin e fundit për indeksin e rrezikut në Europën Juglindore.
Indeksi i BMI’s i rendit vendet në një shkallë nga 0-100, duke i vlerësuar stabilitetin afatshkurtër dhe afatgjatë politik, perspektivën afatshkurtër ekonomike, potencialin afatgjatë ekonomik dhe barriera operacionale për të bërë biznes (sa më i ulët indeksi aq më i lartë është rreziku). Shqipëria, së bashku me Kosovën, Bosnjë Hercegovinën dhe Malin e Zi përfshihen në vendet që kanë rrezikun më të lartë ekonomik në afatin e shkurtër. Për Shqipërinë, indeksi është 45.6, ndërsa më të ulëtin e ka Bosnjë-Hercegovina me 36.5 dhe Kosova me 41.7%. Perspektivën më pozitive në afatin e shkurtër e ka Maqedonia, me një indeks prej 53.3. Në afatin e gjatë, BMI parashikon për Shqipërinë një përmirësim të lehtë të perspektivës ekonomike (indeksi rritet në 49.6). Raporti parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 3.7% këtë vit, nga 3.9% në 2017-n, për t’u ngadalësuar më tej në 3.5% në 2019-n dhe për ta marrë sërish veten në 2020-n, me një zgjerim prej 3.7%.
Inflacioni pritet të mbetet i ndrydhur, në rreth 2%. Deficiti i llogarisë korente pritet të përmirësohet, duke zbritur në 4.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2020-n, nga 6.5% në 2018-n.