Në vijim të protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, aktori Neritan Liçaj e ka parë tërmetin si shenjë nga Zoti për të treguar që godina e Teatrit është më e fortë nga sa pandehet.
Ai madje i bëri thirrje kryemininstrit Edi Rama dhe deputetëve ta shihnin këtë çështje si përfaqësues të popullit.
“Ekzistenca ime varet nga unë dhe vetëm ai lart, ai lart sot dërgoi një shenjë shumë të bukur mbi të gjitha për Ramën, në ditën e ditëlindjes së tij.
Ajo shenjë ishte që kjo nëna jonë e vjetër e plakur na doli më e fortë se ato nuset e reja, parlamenti, ministritë.
Lart në qiell është Nënë Tereza që ka një shenjë të bukur: Kemi harruar se i përkasim njëri-tjterit prandaj nuk gjejmë paqe. Këtë i them ta mbajë vath në vesh edhe kryeministri.
Deputetë, më bëni të ndihem krenar që përfaqësohem nga ju. I jeni betuar, flamurit, kombit e kushtetutës. Nesër do të tregoni si do të votoni, si deputetë dhe shpresë e popullit apo njerëz partiakë. Gjithë populli po ju vëzhgon. Nesër nga ju varet Teatri, kuptoni rëndësinë e këtij vendi,” tha Liçaj.