Shtetasi i cili një ditë më parë plagosi me thikë 63-vjeçarin në Fier është vënë në prangat e policisë. I arrestuari është Xhevat Bregu, 52 vjeç, banues në Mbrostar, Fier. Sipas policisë, 52-vjeçari ka plagosur me thikë Petraq Gjikën, pas një konflikti për motive të dobëta. I plagosuri ndodhet në spitalin e qytetit të Fierit.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore Fier arrestuan në flagrancë shtetasin: -Xhevat Bregu, 52 vjeç, banues në Mbrostar, Fier.
Në datën 04.07.2018, rreth orës 18:20, në lagjen “8 Shkurti” për motive të dobëta janë kofliktuar shtetasit Xhevat Bregu dhe P.Gj, 63 vjeç, banues në Daullas, Fier. Gjatë konfliktit shtetasi Xhevat Bregu ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin P.Gj i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve.
Autori pasi ka goditur shtetasin P.Gj është larguar nga vendngjarja. Shërbimet e policisë pasi morën njoftimin organizuan punën dhe gjatë mesnatës bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të tij. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta” parashikuar nga Nenet 78, 22 dhe 279 të Kodit Penal.