Regjisori letër Majkos: Dil sot kundër kryetarit dhe mbro Teatrin

E Enjte, 05 July 2018 09:32

Pandeli Majko i zmbrapsi dy herë tentativat e Edi Ramës, një herë si ministër Kulture dhe herës tjetër si kryetari i Bashkisë së Tiranës, për të shembur Teatrin Kombëtar. Sot, kur pritet të vendoset përfundimisht fati i asaj godine, duke e ligjëruar në Parlament përmes votimit të një projektligji të posaçëm që i kalon truallin publik privatit, Majko hesht.

Përmes një letre të hapur, regjisori Kastriot Çipi i drejtohet, jo vetëm ishKryeministrit, por edhe ishstudentit të dhjetorit, që ishte me të në të njëjtën sallë, kundër partisë-shtet. Çipi i kujton Majkos ato kohë, 28 vjet më parë, ëndrrat për të cilat luftuan të gjithë së bashku dhe dy rastet kur ai mbrojti godinën e Teatrit Kombëtar.

Sot, Majko ka pushtetin e kartonit. “E vetmja gjë që keni në dorë ju dhe kolegët tuaj deputetë socialistë është të bashkoheni me qytetarët, nëse nuk doni të ndëshkoheni bashkë me sistemin që keni ngritur!”, u bën thirrje Çipi.

NGA KASTRIOT ÇIPI

ÇFARËDO SISTEMI TË SHPIKNI PA NE, DO TË SHEMBET!

I nderuar z. Majko

Ju sot do të votoni për të miratuar një projektligj antikushtetues, që pa mëdyshje do ta quaja taleban, sepse është talebanizëm të shkatërrosh monumente të trashëgimisë kulturore dhe historike.

Ju kujtohen pamjet e Palmirës nën predhat e artilerisë talebane? E pra, një pamje të ngjashme do t’i ofroni botës me shembjen e mureve të teatrit më të vjetër shqiptar, të vetmes ndërtesë të arkitekturës postfuturiste në Shqipëri (lexoni Rubens Shimën e Artan Raçën), shtëpisë ku lindën institucionet më të rëndësishme të artit dhe shkencës shqiptare (lexoni Aurel Plasarin).

Shkurt, ju sot jeni para zgjedhjes së detyruar: Të vini Shqipërinë mbi partinë! Z. Majko, unë dhe ju jemi e njëjta gjeneratë. Pasditen e 11 dhjetorit 1990 ne ishim bashkë në dhomën e televizorit të ndërtesës nr. 13, të Qytetit Studenti. Ne ishim atje sepse ne zgjodhëm të donim Shqipërinë më shumë se sa partinë.

Ne ishim atje ngaqë besonim se roli udhëheqës i partisë-shtet ishte diametralisht i kundërt me interesin kombëtar. Atë ditë ne nuk ishim vetëm kundër partisë, por edhe kundër ligjit, madje edhe kundër Kushtetutës në fuqi. Për Kodin e atëhershëm Penal, ajo që po bënim ne ishte më e pakta “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, një vepër penale për të cilën shumë shqiptarë ishin dërguar para togës së pushkatimit. Por ne e dinim, edhe se me ne ishte i gjithë populli shqiptar, i cili ndjehej i tradhtuar nga partia dhe udhëheqësi. Kurrë, deri 10 vjet më parë, kur u masakrua Kushtetuta e brishtë e vitit 1998, nuk e kisha menduar se mund të vinte kjo ditë.

Shqipëria është sot pa Gjykatë Kushtetuese, Kuvendi kontrollohet nga një parti e vetme dhe partia kontrollohet nga një njeri i vetëm: Udhëheqësi! A kishit menduar ju në 11 dhjetor 1990 se 28 vjet më pas do të gjendeshim në të njëjtën situatë? Unë jo. Unë nuk u habita në mars 2016, kur pyetjes së Ben Blushit “Shqipëria apo partia?”, Taulant Balla iu përgjigj pa iu skuqur faqja, “Partia!”. Por u habita shumë me deklaratën tuaj, që vinte shenjë barazimi mes Shqipërisë dhe partisë!

Nga Taulant Balla pritet të recitojë edhe “Kur themi partia nënkuptojmë Edi dhe kur themi Edi nënkuptojmë partia”, por nga ju priten të tjera qëndrime, së paku kur shtrohen çështje si kjo e sotmja. I nderuar z. Majko, unë shpresoj dhe dua të besoj se te ju nuk ka vdekur studenti i Dhjetorit ’90. Në karrierën tuaj të gjatë politike spikatin dy mandate kryeministrore, ndonëse të dy bashkë kanë zgjatur vetëm një vit e gjysmë.

Ju u bëtë Kryeministër për herë të parë në tetor 1998, kur vendi ishte ende në tym e flakë dhe një zjarr edhe më i madh kishte nisur të digjte Kosovën. E megjithatë, vetëm një muaj pasi morët detyrën, ju gjetët kohën të prisni një përfaqësi artistësh të Teatrit Kombëtar, që vinin të ankoheshin për abuzimet e ministrit të Kulturës, Kryeministrit aktual. Ju u bëtë me artistët dhe dolët kundër ministrit tuaj të Kulturës.

Ju urdhëruat hapjen e sallës së TK-së, të mbyllur për herë të parë në historinë e tij, me urdhër të ministrit Rama. Në të parën vizitë jashtë vendit si Kryeministër, ju i kërkuat homologut grek ndihmë për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar dhe në sajën tuaj, Greqia dhuroi 2.5 milionë euro për këtë qëllim.

Ju kërkuat gjithashtu një studim për mundësitë dhe koston e rindërtimit të TK-së, që eventualisht doli se ishte vetëm 1 milion dollarë me kursin e kohës. Jam i bindur se, nëse nuk do t’ju kishin rrëzuar lojërat politike brenda PS-së, jo vetëm do të ishte rindërtuar Teatri Kombëtar, por do të kishte nisur edhe ndërtimi i teatrit të ri.

Rasti e solli që ju të riktheheshit në postin e Kryeministrit në shkurt 2002, kur Teatri Kombëtar ishte sërish në krizë dhe shkaktari i krizës ishte po Edi Rama, tashmë kryebashkiak i Tiranës. Ishte propozuar, njësoj si tani, të shembej TK (TKE nuk ishte krijuar akoma) dhe trualli t’i jepej një ndërtuesi privat, që do të ndërtonte teatrin, bashkë me një kullë. Njësoj si tani, nuk kishte asnjë ekspertizë zyrtare që provonte rrezikun e zjarrit apo shembjes.

Njësoj si tani, artistë e qytetarë i kishin drejtuar peticione krerëve më të lartë të shtetit. Por, në ndryshim të madh nga tani, artistëve dhe qytetarëve iu bashkuan edhe 65 deputetë, të majtë e të djathtë, që vunë Shqipërinë mbi partinë. Dhe ishit ju, si Kryeministër, që i thatë JO talebanizmit.

Në debatin e zhvilluar në sallën e TK-së, nën drejtimin e gazetarit Artur Çani, në prill të atij viti, zëdhënësi juaj Sokol Gjok, tha se ju ishit për ndërtim dhe jo shkatërrim dhe se qeveria juaj do të mbështeste rindërtimin e teatrit të vjetër dhe ndërtimin e teatrit të ri diku tjetër. Ndërsa unë ju shkruaj këtë letër nga qendra historike e Vrocllavit, në mes të ndërtesave shekullore të ndërtuara nga gjermanët, të cilat polakët i ruajnë si sytë e ballit, në Tiranën tonë ka rënë tërmet.

Janë dëmtuar muret e Ministrisë së Bujqësisë dhe Kryesisë së Kuvendit, por nga muret e pamirëmbajtura të Teatrit Kombëtar nuk ka rënë asnjë copë. Zoti apo Natyra ju ka dërguar një kumt të koduar, lehtësisht të deshifrueshëm: Mos! Mos e ngrini dorën për t’i hapur rrugën talebanizmit në një vend europian! Mos e ngrini dorën për të ligjëruar vjedhjen e pronës publike dhe shkeljen e Kushtetutës! Tregojini shqiptarëve se në grupin tuaj parlamentar kanë mbetur qytetarë, nga ata që e duan Shqipërinë më shumë se partinë, ose së paku, e duan partinë më shumë se udhëheqësin!

I nderuar bashkëstudent i Dhjetorit ’90, Teatri Kombëtar dhe “vëllai” i tij i vogël Eksperimental nuk do të shemben. Sheshi i Teatrit prej muajsh është bërë zgjatim i sheshit “Demokracia” në Qytetin Studenti.

Aty pushteti i udhëheqësit nuk mbërrin. Duke marrë nën kontroll atë shesh, qytetarët kanë marrë nën kontroll demokracinë. Ata po këndojnë në kor vargjet e Leonard Cohen “Çfarëdo sistemi të shpikni pa ne, do të shembet!”.

E vetmja gjë që keni në dorë ju dhe kolegët tuaj deputetë socialistë është të bashkoheni me qytetarët, nëse nuk doni të ndëshkoheni bashkë me sistemin që keni ngritur!

Login to post comments