Ndër fatkeqësitë natyrore, përmbytjet dhe rrëshqitja e tokës kanë qenë ato që i krijuan dëmet më të mëdha ekonomike Shqipërisë gjatë periudhës 1990-2014, sipas përllogaritjeve të bëra nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Reduktimin e Rrezikut nga fatkeqësitë (UNISDR).
Gjatë 24 viteve, 38.2% e dëmit ekonomik është krijuar nga përmbytjet dhe 33.5% nga rrëshqitja e tokës dhe 7% janë dëme të krijuara nga përmbytjet e shpejta. Pjesa e mbetur e dëmeve prej rreth 20% ndahet ndërmjet dëmeve që kanë sjellë tërmetet, shtrëngatat, zjarret, stuhitë e borës etj.
Zyra e Kombeve të Bashkuara llogarit që, gjatë periudhës 1990-2014, në Shqipëri janë shkatërruar plotësisht 118 shtëpi dhe janë dëmtuar rëndë rreth 2.000 të tjera dhe janë zhvendosur nga vendbanimet më shumë se 3.600 njerëz. Sipas OKB-së, dëmi ekonomik ka qenë 21 milionë euro, por sipas autoriteteve shqiptare, humbjet nga fatkeqësitë natyrore janë shumë herë më të larta, me 36 milionë euro në një vit kalendarik.
Zyra e Kombeve të Bashkuara llogarit humbjet nga fatkeqësitë natyrore në bazë të disa klasifikimeve. Një fatkeqësi që të konsiderohet e tillë duhet të kenë humbur jetën të paktën 10 persona, mbi 100 persona të tjerë duhet të jenë të rrezikuar seriozisht dhe kur qeveria kombëtare duhet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të bëhet thirrje për ndihmë ndërkombëtare.
Shqipëria, që nga viti 2010, ka pësuar të paktën 4 përmbytje të mëdha. Drejtoria e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, llogarit një kosto prej 35 milionë eurosh në vit, që i krijohet vendit nga fatkeqësitë natyrore të tilla si përmbytjet, tërmetet, zjarret etj. Që nga 2009, ku përmbytjet kanë vijuar me intensitet të lartë, dëmi në total në vlera neto i krijuar deri në fund të 2015-s llogaritet rreth 200 milionë euro.