Piktori i njohur Gjovalin Paci është ndarë nga jeta. Piktori ishte me origjinë nga Firence e Italisë, pinjoll i familjes italiane Paci që të emigruar para 100 vitesh në Razëm.
Paci është ndër të parët piktorë nga Shqipëria që ekspozoi punët e tij në Galerinë e Komisioni Evropian në Bruksel i prezantuar në teknikën e akrilikut të pjekur me portretin dhe motivin e Nënë Tereza.
Ndër ekspozitat e tij të fundit është ajo me titull “Skënderbeu”, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, në këtë ekspozitë u shpërfaqën mbi 80 punë, të gjitha të realizuara në disa teknika, në situata dhe periudha të ndryshme të jetës së tij.
I janë dashur 6 vite angazhim, tendosje situatash përfytyruese dhe modelimesh, punë kohëgjatë dhe sfide ngadhënjyese për të sjellë të plotë në telajo figurën shumëdimensionale të Skënderbeut, për të ribërë që nga fillesë deri në amshim këtë emblemë.
Në 80 kuadro në akrilik të pjekur e teknikë mikse, Gjovalin Paci solli pas shumë vitesh mungesë ekspozitën e tij vetjake, ku në çdo kuadro dallohen dy antitezat: nga njëra anë figura hijerëndë e heroit kombëtar e nga ana tjetër eleganca e finesa, me të cilën është realizuar çdo punë.
Kjo mbetet edhe ekspozita e fundit e piktorit që iku nga kjo jetë sapo kishte bërë 60 vjeç.