Obligacionet 10-vjeçare të qeverisë shqiptare u emetuan këtë javë me një kupon prej 6.8%, duke pësuar rënie për të dytin ankand radhazi.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se tendenca e uljes së interesave ka prekur edhe instrumentet më afatgjata të emetuara nga qeveria shqiptare. Krahasuar me ankandin e fundit, që ishte zhvilluar në muajin prill, interesat kanë rënë me 0.15 pikë përqindje.
Vlera e obligacioneve të emetuara këtë javë ishte 2.5 miliardë lekë, ndërsa shuma e kërkuar në ankande ishte lehtësisht më e lartë, me 2.63 miliardë lekë. Sistemi bankar është mjaft likuid dhe ngelet i interesuar për investime në titujt e qeverisë, edhe duke pasur parasysh ecurinë e dobët të kreditimit.
Nga ana tjetër, obligacionet janë një mundësi e mirë edhe për individët që nuk kanë planifikuar investime në një afat të gjatë dhe janë të interesuar kryesisht për përfitime sa më të larta nga kursimet e tyre. Në një mjedis me norma shumë të ulëta interesi, obligacionet qeveritare ngelen instrumenti ku investitorët mund të sigurojnë kthimet më të kënaqshme. Ato me maturitet 10-vjeçar ofrojnë natyrisht edhe përfitimin më të lartë, për shkak të afatit të gjatë të maturimit.