Lufta tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Kinës mund të ndikojë më shumë në disa vende të vogla, se sa te dy vendet konkrete të mosmarrëveshjes tregtare. Ministria e Tregtisë së Kinës tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ‘duke hapur zjarr ën të gjithë botën’, duke paralajmëruar se tarifat e propozuara të Uashingtonit mbi mallrat kineze do të godasin zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar.
Një model i ri nga ekonomistët në Pictet Asset Management ka prodhuar një listë të vendeve që do të dëmtohen më shumë ekonomikisht nga një përshkallëzim në luftën tregtare, raporton Reuters.
Vendet më të rrezikuara janë ato që furnizohen me lëndë të para nga vendet e tjera, të cilat pastaj i përdorin këto lëndë të para në prodhimin e mallrave për eksport. Tajvani, Koreja e Jugut, Singapori dhe Irlanda janë të gjitha vende që do të ndikohen drejtpërdrejt nga lufta tregtare, sipas Pictet.
Më poshtë janë edhe 10 vendet më të rrezikuara, ndërsa përqindjet krah tyre tregojnë se sa nga eksportet e një vendi janë pjesë e zinxhirëve të furnizimit global:
1.Irlanda: 59.2%
Vendi është shtëpia e Google HQ në Evropë dhe ekonomia dominohet nga shërbimet e teknologjisë së lartë dhe ato bankare. Ajo renditet në pozicionin më të lartë në investimet e huaja direkte dhe është e ndjeshme ndaj luhatjeve në ekonominë globale.
2.Islanda: 59.3%
Ashtu si vendet e tjera në këtë listë, Islanda është një vend relativisht i vogël dhe i ndjeshëm ndaj luhatshmërisë së tregut. Industritë kryesore përfshijnë turizmin, përpunimin e peshkut dhe shkrirjen e aluminit. Shumica e eksporteve të saj shkojnë në BE, SHBA dhe Japoni.
3.Malajzia: 60.4%
Kina është partneri më i madh tregtar i Malajzisë, gjë që e bën atë të prekshme ndaj kësaj lufte tregtare të mundshme. Industritë kryesore përfshijnë kallajin dhe vajin e palmës.
4.Singapori: 61.6%
Ekonomia e lirë e tregut të zhvilluar është renditur si një nga më të mëdhatë në botë, duke eksportuar pajisje elektronike, kimikate dhe shërbime financiare. Ka mbi 100 miliardë dollarë tregti dypalëshe midis Singaporit dhe Kinës.
5.Koreja e Jugut: 62.1%
E njohur si një nga ekonomitë më të avancuara të në botë në fushën e teknologjisë, ajo prodhon makineri elektrike, makina, çelik dhe anije. SHBA, Kina dhe Singapori janë partnerët kryesorë tregtarë.
6.Republika Çeke: 64.7%
Një vend anëtar i BE-së, ku partnerët kryesorë tregtarë të saj janë Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së, por përqendrimi në inxhinieri të teknologjisë së lartë e bën atë globalisht të ndërlidhur dhe të prekshme nga lufta tregtare Kinë-SHBA.
7.Hungaria: 65.1%
Hungaria ka një ekonomi tregu të orientuar nga eksporti, e cila është shumë e varur nga tregtia e jashtme. Bujqësia, IT, elektronika dhe kimikatet janë ndër industritë kryesore të vendit.
8.Sllovakia: 67.3%
Sllovakia ka shërbime të forta, industri të rëndë dhe sektorë bujqësorë. Tregtia e saj e jashtme po rritet me shpejtësi nga viti në vit, por lufta tregtare mund të ketë një ndikim të rëndë.
9.Tajvani: 67.6%
Eksportet kryesore në Tajvan përfshijnë makineri elektrike, kompjutera si dhe lëndë plastike. Tajvani është shumë i ndjeshëm ndaj rënies ekonomike globale.
10.Luksemburgu: 70.8%
Bankingu, shërbimet e informacionit, çeliku dhe prodhimet e tjera industriale janë edhe sektorët kryesorë dominues në Luksemburg. Vendi i vogël evropian ka GDP-në e dytë më të lartë për frymë pas Katarit, por është shumë i varur nga tregtia, duke e bërë atë të pambrojtur ndaj pasojave nga konfrontimi midis Kinës dhe SHBA-së.